Të dhënat e fundit nga anketa e HERA-s tregojnë se gjysma e të rinjve, pra gjithsej 51.4 për qind besojnë se autoritetet nuk interesohen fare për nevojat dhe problemet e tyre, dhe vetëm 1.1 për qind mendojnë se qeveria i trajton plotësisht. Tre të katërtat e të rinjve (73.7 për qind) nuk janë përfshirë ose konsultuar nga institucionet lokale ose kombëtare në vendimmarrje, dhe 74.4 për qind nuk i përkasin asnjë organizate ose forme tjetër organizimi
Anëmsha SHABANI
Shkup, 13 gusht – Java Ndërkombëtare e Rinisë këtë vit vjen si një kujtesë e hidhur për realitetin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut. Një pjesë e madhe e gjeneratës së re po rritet në një mjedis ku sfidat sistemike, mundësitë e kufizuara dhe pasiguria për të ardhmen janë norma e përditshme. Organizata joqeveritare HERA paralajmëron se për shkak të papunësisë së lartë, arsimit me cilësi të dobët, mungesës së shërbimeve shëndetësore miqësore për të rinjtë, mbështetjes së dobët institucionale, mungesës së hapësirave publike të sigurta dhe korrupsionit, shumë të rinj detyrohen të kërkojnë perspektiva jashtë vendit.
MOSBESIMI DHE MUNGESA E PËRFSHIRJES SË TË RINJVE
Të dhënat e fundit nga anketa e HERA-s tregojnë se gjysma e të rinjve, pra gjithsej 51.4 për qind besojnë se autoritetet nuk interesohen fare për nevojat dhe problemet e tyre, dhe vetëm 1.1 për qind mendojnë se qeveria i trajton plotësisht. Tre të katërtat e të rinjve (73.7 për qind) nuk janë përfshirë ose konsultuar nga institucionet lokale ose kombëtare në vendimmarrje, dhe 74.4 për qind nuk i përkasin asnjë organizate ose forme tjetër organizimi. Sipas Strategjisë Kombëtare për të Rinjtë 2023–2027, të rinjtë janë të kufizuar në shërbime, nivele të ulëta pjesëmarrjeje në jetën publike dhe një mosbesim të thellë ndaj institucioneve, ku deri në 70 për qind e tyre nuk janë të interesuar për politikë. “Kjo gjendje nuk është e rastësishme. Kur një brez i tërë ndjen se nuk ka mundësi të ndikojë në vendimmarrje, nuk mund të presim që të ndjehet i motivuar dhe pjesëmarrës në jetën e vendit. Ata e kuptojnë se përpjekjet e tyre shpesh nuk kanë ndikim dhe çdo premtim për zhvillim bëhet i pabesueshëm. Kjo krijon izolim kulturor, mungesë mentorimi dhe një ndjesi të fortë të pafuqisë”, theksoi HERA.
Edhe pse Ligji për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore ka qenë në fuqi që nga viti 2020, zbatimi në nivel vendor është minimal. Vetëm 19 komuna kanë këshille rinore, ndërsa strategjitë lokale rinore janë miratuar në vetëm shtatë komuna.
23.7 PËR QIND JANË TË PAPUNË DHE JASHTË SISTEMIT ARSIMOR
Një nga pasojat më të dukshme të këtij mosbesimi është niveli i lartë i papunësisë, ku 23.7 për qind e të rinjve të moshës 15–29 vjeç nuk janë as në arsim, as në punësim dhe as në trajnim. HERA thekson se kjo shifër është shumë mbi mesataren evropiane dhe përbën një sinjal serioz të neglizhencës sistemike për këtë brez. “Shumë të rinj nuk e shohin të ardhmen e tyre këtu. Ata e dinë se mundësitë janë të pakta, pagesat jo të drejta, dhe çdo përpjekje për avancim shpesh dështon. Nëse nuk ndërtojmë një klimë të besueshme dhe mundësi reale, ikja jashtë vendit bëhet opsioni i vetëm”, paralajmëron HERA.
Ndërkaq, situata nuk përfshin vetëm papunësinë. Shëndeti mendor është gjithashtu një shqetësim i madh, ku deri në 64 për qind e vajzave të moshës 15 vjeç përjetojnë dy ose më shumë ankesa psikosomatike në javë, dhe deri në 53 për qind kanë shenja depresioni.
Ndryshe, në pritje të zgjedhjeve të ardhshme lokale, HERA u bën thirrje kandidatëve për kryetar komune dhe këshilltarë që të përgatisin programet e tyre zgjedhore në konsultim dhe dialog të drejtpërdrejtë me të rinjtë. Sipas HERA-s, është e domosdoshme të futet një linjë e veçantë buxhetore për politikat dhe programet rinore, me pjesëmarrje aktive të të rinjve në monitorimin dhe vendimmarrjen për shpenzimet. Gjithashtu, HERA nënvizon edhe nevojën për hapësira publike falas dhe të sigurta për iniciativat rinore, qendrat rinore për shëndetin seksual dhe riprodhues, shëndetin mendor, shprehjen krijuese dhe zhvillimin e nënkulturave, veçanërisht në komunat më të vogla dhe zonat rurale. Mbështetja për punësimin përmes programeve lokale të vetëpunësimit, qendrave mentoruese, qendrave inovative dhe subvencioneve për sipërmarrësit e rinj konsiderohet një nga hapat kyç për të zvogëluar emigrimin dhe për të ofruar perspektiva reale. (koha.mk)