E mërkurë, 29 Tetor, 2025
7.8 C
Skopje

BDI: Degradim poshtërues i profesionistëve shqiptarë në polici

Shkup, 13 maj – Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një ragimi drejtuar mediave ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në MPB dhe ARM, ku në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike po kryhet degradimi dhe përjashtimi i pjesëtarëve të popullit shqiptar nga pozitat udhëheqëse.

“Rasti i fundit i shkarkimit të të gjithë zëvendësshefave shqiptarë dhe emërimi i të afërmve të kryetarit të Komunës në Stacionin Policor të Butelit përbën jo vetëm një skandal institucional, por edhe një sinjal të rrezikshëm për rikthimin e ekskluzivitetit dhe diskriminimit në sektorin më të ndjeshëm – atë të sigurisë. Veçanërisht shqetësues është fakti që kjo ndodh në Butel, një nga komunat më të theksuara multietnike në kryeqytet, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Emërimet njëetnike dhe partiake në strukturat e sigurisë, si dhe degradimi poshtërues i kuadrove profesionale policore me përkatësi etnike shqiptare, thuhet më tej në reagim, minojnë parimin e përfshirjes – shtyllë kyçe e Marrëveshjes së Ohrit.

“Pikërisht prania dhe përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në polici dhe ushtri ishin parakushte për stabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike pas vitit 2001. Sot, po shohim një proces të kundërt: çmontimin e mekanizmave të balancës, që çon drejt rikthimit të mosbesimit dhe ndjenjës së përjashtimit te një popull i tërë. BDI apelon tek Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, tek Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe tek bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht garantuesit e Marrëveshjes së Ohrit, të reagojnë menjëherë dhe pa ekuivoke”, thonë në BDI.

Sektori i sigurisë nuk guxon të jetë instrument i dominimit etnik dhe revanshizmit politik, shtohet në reagim.

Ndryshe, degradim i madh po ndodhë në policinë e Butelit. Komandant i Stacionit Policor në Butel është emëruar Stefan Kostovski, kushëri i kryetarit të Butelit, Darko Kostovski. Stefani më parë ka qenë polic trafiku, ndërkohë që ngritja aktuale është bërë për disa shkallë më lartë.

Shumë interesante duken detyrat e Mite Gligorovit, gjithashtu mik i afërt i Darko Kostovskit. Gligorovi ushtron tri detyra në polici: Kryeshef i Njësisë për Punë të Brendshme, Kryeshef në Sektorin e Krim-Policisë, si dhe ushtrues detyre Ndihmëskryeshef në këtë Sektor. Kryeshef i Njësisë për Punë të Brendshme ka qenë Zimri Asani, ndërkohë që zëvendëskryeshef në Krim Polici ka qenë Ali Ismaili, i degraduar tashmë për disa shkallë, konkretisht i urdhëruar të shërbejë në Sektorin e qenve të policisë.

Në ndërkohë, Boban Dodevski është emëruar zëvendëskomandanti i Stacionit, ndërsa ka zënë vendin e Agron Jakupit. Shef ndërrimi është emëruar Goce Miovski dhe Dame Panxhakovski, ndërsa shqiptarët përfaqësohen vetëm me Sali Idrizin si shef ndërrimi. Përveç degradimit të shqiptarëve, ndaj punonjësve policor çdo ditë e më tepër rritet mobingu. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm