Nga BDI në një kumtesë për media thonë se “shprehin shqetësim të thellë ndaj zhvillimeve të fundit, me të cilat Qeveria, sipas tyre, përmes një sërë hapash institucionalë, po e largon në mënyrë sistematike gjuhën shqipe nga sfera publike”.
Nga BDI thonë se Gjykata Kushtetuese është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Skandali u thellua nga vetë Ministri për marrëdhënie mes etnive, Stoilkovic, i cili dje deklaroi se do ta shkarkojë drejtorin e Inspektoratit, jo për mosfunksionim, por për t’ia treguar vendin inspektoratit. Kjo deklaratë është shfaqje e drejtpërdrejtë e presionit institucional dhe e poshtërimit ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe”.
“U bëjmë thirrje të gjithë faktorëve shoqërorë shqiptarë, përfshirë edhe mbetjet e VLEN-it që kanë mbetur pjesë e Qeverisë, të marrin përgjegjësi ndaj votuesve shqiptarë dhe të kundërshtojnë qartë këto kërcënime sistematike ndaj gjuhës shqipe. Gjuha shqipe nuk është privilegj politik, ajo është kategori kushtetuese dhe pjesë e themeleve të Marrëveshjes së Ohrit”, thonë nga BDI.




