E premte, 14 Nëntor, 2025
16.8 C
Skopje

BE paralajmëron Tiranën: Shqipëria rrezikon anëtarësimin në BE nëse preket drejtësia

“Nëse prekni sistemin e drejtësisë, kompromentoni shanset tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, ishte mesazhi i prerë i ambasadorit Gonzato

 

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka dhënë një paralajmërim të qartë ndaj politikës shqiptare lidhur me ndërhyrjet e mundshme në sistemin e drejtësisë. Në një intervistë për emisionin “Top Story” në televizionin Top Channell, ai theksoi se çdo tentativë për të ndryshuar arkitekturën e reformës në drejtësi do të cënonte drejtpërdrejt rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. “Nëse prekni sistemin e drejtësisë, kompromentoni shanset tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, ishte mesazhi i prerë i ambasadorit Gonzato.

I pyetur nëse kishte parë kërcënime konkrete nga Parlamenti për të ndërhyrë politikisht në strukturat e drejtësisë, Gonzato u përgjigj se “jo realisht”, por ndjeu nevojën për të sqaruar disa çështje që kanë ngritur debat publik. “Disa mendojnë se disa aspekte të gjyqësorit nuk funksionojnë mirë. Sigurisht, reforma e vitit 2016 ishte e madhe dhe tani, në vitin 2025, ndoshta është koha të shihet si po funksionojnë disa elemente të saj. Por themelet, arkitektura, struktura e qeverisjes nuk mund të preken, sepse pavarësia e gjyqësorit nga ekzekutivi dhe legjislativi duhet të respektohet. Përndryshe, humbasim arritjen më të madhe që ka bërë Shqipëria”, theksoi ai.

Në vijim të intervistës, ai u pyet nëse Parlamenti do të kishte të drejtë të ndryshonte apo të hiqte një nga institucionet e reja të reformës, si p.sh. Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). “Parlamenti është shprehja e popullit të Shqipërisë, ndaj mund të ndryshojë ligje apo edhe Kushtetutën”, tha ambasadori. “Por mesazhi nga Brukseli është i qartë: nëse e bëni këtë, kompromentoni shanset për anëtarësim, sepse reforma në drejtësi me gjithë arkitekturën e saj është vendosur dhe kjo është një kërkesë absolute”.

Ky reagim vjen në një moment kur në skenën politike shqiptare janë rikthyer debatet për rishikimin e disa mekanizmave të reformës në drejtësi, një ndër kushtet kryesore të BE-së për hapjen e kapitujve të negociatave.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm