Sipas OKB-së, dëmet arrijnë në rreth 70 miliardë dollarë teksa janë shkatërruar ose dëmtuar afërsisht 300 mijë shtëpi. Rrugët e Gazës janë të mbushura me 60 milionë ton rrënoja, bombë që mund të shpërthejnë nga momenti në moment dhe trupa të pajetë. Më shumë se 68 mijë njerëz kanë humbur jetën në 5 vitet e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza
Në mes të një armëpushimi ende të brishtë, banorët e Gazës po bëjnë hapat e parë të kujdesshëm drejt rimëkëmbjes. Makineritë kanë pastruar disa rrugë, duke ngarkuar mbetjet e luftës në kamionë. Megjithatë, grumbuj të tërë rrënojash dhe metali të shtrembëruar ende shihen në lagje që dikur ishin të mbushura me jetë. Disa pjesë të qytetit të Gazës janë shkatërruar deri në pikën e pakthyeshme.

“Kjo ishte shtëpia ime”, thotë Abu Iyad Hamdouna, duke treguar një gropë betoni dhe çeliku në lagjen Sheikh Radwan. “Ishte këtu, por shtëpi nuk ka më”, rrëfen me trishtim Abu Iyad, 63 vjeç, i cili shton se do të jetojë sa për të parë rindërtimin e Gazës. “Me këtë ritëm, do të duhen 10 vjet. Ne do të vdesim pa e parë rindërtimin”, shprehet ai. Afër tij, Nihad al-Madhoun dhe nipi i tij, Said, po mbledhin nga rrënojat materiale të riciklueshme. “Vetëm pastrimi i rrënojave mund të zgjasë më shumë se 5 vjet”, thotë Nihad. “Ne do të presim. Nuk kemi opsion tjetër”.

Sipas OKB-së, dëmet arrijnë në rreth 70 miliardë dollarë teksa janë shkatërruar ose dëmtuar afërsisht 300 mijë shtëpi. Rrugët e Gazës janë të mbushura me 60 milionë ton rrënoja, bombë që mund të shpërthejnë nga momenti në moment dhe trupa të pajetë. Më shumë se 68 mijë njerëz kanë humbur jetën në 5 vitet e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Ka shumë ide për rindërtimin e Gazës… Disa janë plane të mëdha nga jashtë, përfshirë propozimin “Gaza Riviera” të Presidentit amerikan Donald Trump, që parashikon qendra luksoze dhe qytete të teknologjisë së lartë, përfshirë mundësinë që një pjesë e popullsisë të zhvendoset jashtë Gazës. Por banorët e Gazës janë skeptikë ndaj këtyre ideve dhe duan të kenë zërin e tyre në rindërtim. Phoenix Plan, i hartuar nga rreth 700 ekspertë palestinezë, synon të mbrojë infrastrukturën ekzistuese dhe të rikthejë rrjetin social dhe urban të qytetit.

Ky plan përfshin edhe studentët dhe arkitektët e vendit dhe fokusohet në nevojat reale të komuniteteve lokale. Plani i Autoritetit Palestinez gjithashtu synon të ruajë identitetin e refugjatëve dhe lagjet e tyre të vjetra. “Duam të rindërtojmë Jabalia-n ku ishte”, thotë Estephan Salameh, ministër i planifikimit. “Duam të ruajmë shpirtin dhe identitetin e Gazës”.

Megjithatë, procesi i rindërtimit do të jetë i ngadaltë dhe i vështirë. Shumë zona janë shkatërruar plotësisht dhe do të duhet të rishikohen dhe rindërtohen nga e para. Koha për rindërtim mund të zgjasë dekada, përveçse ka nevojë për hapje kufijsh, stabilitet politik dhe financim ndërkombëtar. Derisa diskutimet politike vazhdojnë, banorët e Gazës përballen me nevojat më të menjëhershme.
Abu Iyad Hamdouna thotë: Rindërtim? Po me ujin çfarë do të bëhet?! Ai dhe familja e tij vazhdojnë të jetojnë në çadra pranë rrënojave të shtëpisë së tyre, në përpjekje për të mbijetuar, pa pritur asnjë plan të madh ndërkombëtar.




