Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka përditësuar informacionet në lidhje me aktivisten Albulena Fazliu që mendohet se kishte qenë në njërën prej anijeve që ishte nisur për të dërguar ndihma në Gaza.
“Lidhur me njoftimin paraprak të shpërndarë, i cili është bazuar në burime ndërkombëtare, tani kemi njoftime te reja që Albulena mund të jetë një prej anijeve që ende nuk ka mbërritur në Gaza”, thuhet në njoftim.
Aktivistja Albulena Fazliu, është në mesin e aktivistëve të ndaluar nga Ushtria e Izraelit.
Ajo ishte pjesë e flotës “Globale Sumud”, që synonte të dërgonte ndihma në Gaza.
Flota u ndalua të mërkurën nga Ushtria e Izraelit. Qindra aktivistë janë ndaluar.
“Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”, i ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të kërkojë nga Izraeli lirimin e Fazliut. Fazliu jeton në Gjermani.
“Ndër aktivistët/et nga 40 vende të botës që kanë mësyrë të hapin korridor humanitar, është edhe Albulena Fazliu. Albulena është refugjate e luftës nga Kosova në Gjermani e cila tashmë është kidnapuar nga Izraeli. Shteti i Kosovës duhet të kërkojë menjëherë që Izraeli ta lirojë Albulenën dhe aktivistet e aktivistët tjerë dhe njëherë e mirë të marrë pozicion politik dhe të thërrasë për ndalim të shfarosjes së popullit palestinez nga Izraeli. Shteti dhe shoqëria jonë duhet të qëndrojnë krah Albulenës, popullit palestinez dhe gjithësecilës/it që është duke u angazhuar që Palestina të jetojë, dhe të jetojë e lirë”, ka njoftuar “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”.