Nga Nikica KORUBIN
Vala e relativizimeve dhe demonstrimeve deklarative lidhur me sintagmën politike “bota serbe” – e përkufizuar si “projekt për vendosjen e një sfere ndikimi me qëllim minimin e sovranitetit të disa shteteve dhe destabilizimin e rajonit”, e përfshirë në raportin e Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitet 2023–2024, të miratuar këtë pranverë, e cila synon ta zbusë dhe normalizojë atë, ecën paralelisht me “de-shqiptarizimin” simbolik të shqiptarëve në sistemin shtetëror si paradigmë politike e nivelit të lartë.
Bëhet fjalë për një paradigmë të “nënshtrimit politik të shqiptarëve”, si përpjekje për dominim faktik shoqëror mbi qytetarët shqiptarë. Ky është një hap logjik për një partokraci (kryesisht maqedonase, por jo vetëm) e cila është mësuar të “qeverisë mbi” qytetarët, e jo “në emër të tyre”, duke llogaritur se kontrolli mbi partitë politike shqiptare automatikisht nënkupton kontroll edhe mbi vetë qytetarët shqiptarë.
Mirëpo, nëse dëshira për dominim – që është e huaj në vetvete – e adoptuar (madje e importuar) si e vetja nga establishmenti politik maqedonas ndaj shqiptarëve dhe partive të tyre politike e ndjek “logjikën e zotërisë”, atëherë enigmë mbetet efektuimi vullnetar i saj përmes “logjikës së shërbëtorit” nga disa (gati të gjitha) parti politike shqiptare.
Me dëshirën për t’u dukur të përshtatshme dhe të pranueshme, ato në fakt minojnë plotësisht ndikimin juridik dhe politik të garantuar me kushtetutë, gjë që manifestohet si dobësim sistematik i të gjithë shoqërisë.
Në fakt, sa i përket relativizimit maqedonas të projektit “bota serbe” nga raporti i Parlamentit Evropian – relativizim që në vend se ta mohojë në mënyrë kategorike vetëm e konfirmon konstatimin – në vend që të nënvizohet rreziku dhe të mbrohet shteti dhe shoqëria, ky de-shqiptarizim simbolik në të vërtetë përbën një “pranim” për rolin kyç të shqiptarëve si pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e kontekstit shoqëror në Maqedoni, si dhe si një “barrierë efektive” brenda “establišmentit të srbizuar maqedonas”, që tashmë është i ekspozuar ndaj projektit të “botës serbe”.
Ky i ashtuquajtur “nën-projekt” i de-shqiptarizimit, i intensifikuar vitet e fundit, është shprehur në narrativa të ndryshme, të cilat jo domosdoshmërisht janë “nacionaliste” apo “de-nacionaliste” – sepse vetëm nacionalizmi shqiptar paraqitet si problem në atë “shfaqje”. Këto narrativa mund të jenë antagonizuese në media (shqiptarët rrinë nëpër shtëpi dhe marrin rroga, shqiptarët nuk paguajnë fatura, shqiptarët nuk flasin maqedonisht), mund të jenë të instrumentalizuara partiakisht duke shfrytëzuar subjektin më të fuqishëm politik, me moton “BDI të reformohet në opozitë”; mund të jenë edhe narrative kulturoro-shpërfytyruese (trashëgimia kulturore, (de)islamizimi, “lojërat” me përdorimin e gjuhës shqipe).
Por të gjitha, pa përjashtim, janë në thelb anti-maqedonase, sepse prodhojnë vazhdimisht atmosferë konfliktuale të mosrespektimit të kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve – të drejta që janë të mbrojtura etnikisht për secilin vetëm nëse janë të mbrojtura njësoj për të gjithë.
Dhe, a duhet ky “de-shqiptarizim” që po shihet në praktikë – i shoqëruar me ri-maqedonizimin e “ndikimit të humbur” që demonstrohet si në nivel lokal, ashtu edhe në atë kombëtar, ku “maqedonasit” e rivendosin kontrollin dominues, duke u fshehur hipokritisht pas parullës së “sistemit meritokratik” – dmth., “sipas meritës” e jo sipas “përkatësisë etnike” – të uzurpojë dhe/ose të ngadalësojë integrimin evropian? Dhe, nëse po, a do të thotë kjo se Maqedonia e Veriut “më maqedonase se kurrë” në fakt po bëhet “më pak maqedonase”? Çdo gjë quhet maqedonase, por ku dhe si? Vetëm për “përdorim të brendshëm”, si shembulli i “RS Maqedonisë në RSFJ”, që kurrë nuk ka qenë realisht “maqedonase e pavarur” jashtë federatës?
Në një Kushtetutë qytetare me përkatësi etnike të përcaktuar qartë për popullin maqedonas dhe pjesët e popujve të tjerë, nuk ka vend për “reflektime” të situatave të huaja në kontekstin tonë shoqëror. E aq më pak ka vend për një dominim të rremë etnik, në një boshllëk të rrezikshëm gjeostrategjik dhe rajonal, jashtë sistemit të vetëm politik, kulturor, civilizues dhe demokratik – që është sistemi i Bashkimit Evropian.
Prandaj pyetja nuk është se “çfarë duhet të na japë Bashkimi Evropian”, por “çfarë duhet t’i japim ne” Bashkimit Evropian si vlerë? Ne, si qytetarë të vetëdijshëm, përgjegjës dhe të civilizuar (dhe me institucione po ashtu të tilla), të tillë mund të jemi vetëm nëse jemi të lirë të jemi ajo që garanton kmKushtetuta jonë – maqedonasit do të jenë “më të mëdhenj” vetëm nëse shqiptarët nuk bëhen “më të vegjël”. Edhe asnjë popull tjetër që është, ose së shpejti do të jetë, pjesë e Kushtetutës sonë.




