Trajtimi rajonal i mbeturinave për Dibrën ka rëndësi jetike, pasi deponia aktuale e qytetit, e cila zyrtarisht konsiderohet deponi e egër, është tashmë e tejmbushur me mbeturina. Ajo ndotë edhe fushat përreth
Vjollca SADIKU
Dibër, 11 dhjetor. Komuna e Dibrës dhe Ndërmarrja Komunale Publike “Standardi” vlerësojnë se avancimi i standardeve mjedisore ka një rëndësi kyçe për tejkalimin e problemeve në sferën e mjedisit jetësor në rajonin më perëndimor të vendit, ku bën pjesë edhe Dibra. Pushteti vendor në Dibër mbetet i përkushtuar në përmirësimin e standardeve mjedisore dhe të shërbimeve publike në interes të qytetarëve. Ky vlerësim jepet nga Komuna e Dibrës, e kryesuar nga kryetari Fisnik Mela, pas takimeve të mbajtura në Shkup në kuadër të reformave rajonale për menaxhimin e mbeturinave në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në rajonin Jugperëndim.
Në vlerësimet e publikuara në faqen zyrtare të Komunës së Dibrës theksohet se riafirmimi i sistemit modern garanton qëndrueshmëri në menaxhimin e mbeturinave.
“Komunat e rajonit Jugperëndimor kanë formuar zyrtarisht Bordin Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave (BNMM), një mekanizëm i ri rajonal që siguron koordinim më të mirë, planifikim afatgjatë dhe shërbime më cilësore për qytetarët. BNMM do të ketë rol kyç në miratimin e planeve rajonale për menaxhimin e mbeturinave, koordinimin e mbylljes së deponive ekzistuese, mbikëqyrjen e sistemit rajonal dhe garantimin e transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve. Formimi i këtij trupi shënon fillimin e një faze të re të reformës, përfshirë hartimin e Planit Rajonal 2026–2032 dhe finalizimin e strukturave rajonale të shërbimit komunal”, thuhet në informimin e Komunës së Dibrës.
Trajtimi rajonal i mbeturinave për Dibrën ka rëndësi jetike, pasi deponia aktuale e qytetit, e cila zyrtarisht konsiderohet deponi e egër, është tashmë e tejmbushur me mbeturina. Ajo ndotë edhe fushat përreth. Në debatet e deritanishme në nivel vendor dhe në shoqërinë civile është theksuar se deponia rajonale do t’i shpëtojë dibranët nga ndotja e shkaktuar nga mbeturinat. Sipas pushtetit vendor, deponia aktuale mund të shërbejë vetëm si pikë grumbulluese prej nga mbeturinat do të transportohen drejt deponisë pranë Manastirit, përkatësisht në afërsi të Novacit, ku pritet të ndërtohet deponia rajonale për rajonin Jugperëndim.
Nga Ndërmarrja komunale “Standardi” në Dibër thonë se deponitë rajonale mund të jenë zgjidhja e duhur për ndalimin e ndotjes që vjen nga deponia e qytetit dhe nga deponitë e egra nëpër fshatra. (koha.mk)




