Përfaqësues të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë, të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv, Dr. Atdhe Hetemi, qëndruan në Dibër në kuadër të aktiviteteve për grumbullimin e fakteve, si video dhe audio incizime, fotografi dhe materiale të shkruara mbi krimet serbe në Kosovë, si dhe për praninë e kosovarëve në Dibër gjatë luftës
Vjollca SADIKU
Dibër, 29 prill – Përfaqësues të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë, të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv, Dr. Atdhe Hetemi, qëndruan në Dibër në kuadër të aktiviteteve për grumbullimin e fakteve, si video dhe audio incizime, fotografi dhe materiale të shkruara mbi krimet serbe në Kosovë, si dhe për praninë e kosovarëve në Dibër gjatë luftës.
Ata zhvilluan takim me kryetarin e Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, me të cilin u bisedua për qëllimin e vizitës dhe aktivitetet e Institutit që lidhen me mbledhjen e fakteve nga vitet e luftës.
“Takimi u vlerësua si shumë i frytshëm dhe konstruktiv, duke u fokusuar në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në trajtimin e çështjeve të ndjeshme historike. Gjatë diskutimeve, palët shqyrtuan mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe iniciativave që synojnë dokumentimin dhe adresimin e krimeve të luftës”, thuhet në komunikatën e kabinetit të kryetarit Mela.
I njëjti burim thekson se në takim mori pjesë edhe Gëzim Ostreni, i cili kontribuoi me fakte dhe të dhëna të rëndësishme, duke pasuruar diskutimin dhe duke ofruar një perspektivë të vlefshme mbi zhvillimet e periudhës së luftës. Në përfundim të takimit u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi mes dy institucioneve, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional.
Përfaqësuesit e Institutit më pas zhvilluan takim me kryetarin dhe sekretarin e organizatës komunale të Kryqit të Kuq në Dibër, Nehat Hysa dhe Isni Telqiu, ku u theksua rëndësia e grumbullimit të fakteve. Qëllimi i këtij aktiviteti është mbledhja dhe dokumentimi i materialeve, të cilat më pas mund të shfrytëzohen nga institucione ndërkombëtare, gazetarë dhe produksione të ndryshme, për të pasur argumente mbi krimet e kryera nga serbët në Kosovë dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve gjatë luftës.
Në këtë takim, përfaqësuesit e Kryqit të Kuq në Dibër theksuan se qyteti priti vëllezërit kosovarë dhe hapi dyert për disa mijëra prej tyre. Ata u shprehën se do të vënë në dispozicion dokumentet që posedojnë për atë periudhë. Organizata e Kryqit të Kuq dha një kontribut të madh në ndihmë të kosovarëve gjatë qëndrimit të tyre në Dibër.
Gjatë qëndrimit në qytet, përfaqësuesit e Institutit u takuan edhe me ish-drejtoreshën e çerdhes “Breshia” në Dibër, Sevdie Vojnika, e cila ishte ndër aktivistet më të angazhuara në pritjen e kosovarëve gjatë luftës. Ajo dorëzoi dokumentet që posedonte nga ajo kohë. Ndërkohë, në takimin me gazetarët lokalë, përfaqësuesit e Institutit u informuan për materialet dhe aktivitetet mediatike të realizuara gjatë asaj periudhe. Mediumet lokale kanë dokumentuar shumë momente nga ardhja dhe vendosja e kosovarëve në familjet dibrane.
Kryetari i Institutit, Dr. Atdhe Hetemi, së bashku me bashkëpunëtorët, vizitoi edhe pllakën përkujtimore në parkun e qytetit, kushtuar luftës në Kosovë dhe ardhjes së mijëra kosovarëve në Dibër. Në këtë pllakë është shkruar: “Dibra e Madhe ishte një Kosovë e Vogël, kurse Kosova një plagë e saj”. (koha.mk)




