Dibër, 17 prill – Në një komunë ku mbi 800 familje jetojnë me probleme sociale dhe marrin ndihmë nga shteti, një pjesë e mjeteve të destinuara për mbrojtje sociale mbetën të pashfrytëzuara. Ky fakt u konstatua në seancën e fundit të Këshillit Komunal të Dibrës, ku u debatua mbi raportin e Programit për ndarjen e ndihmave financiare për vitin 2025. Koordinatori i programit, Maliq Disha, informoi se nga 400.000 denarë të planifikuar, janë shpenzuar vetëm 180.300 denarë.
Ndihma e njëhershme për nxënësit në nevojë ishte parashikuar në 120.000 denarë, por u realizuan vetëm 18.000. Po ashtu, për aktivitetet e fëmijëve me aftësi të veçanta ishin planifikuar 62.000 denarë, por nuk u realizua asnjë aktivitet. Në program ishin parashikuar edhe mjete për familjet me lindje të para, por fondet nuk u përdorën pasi nënat dibrane lindën në qytete fqinje. Këshilltarët reaguan duke e cilësuar të çuditshme që në një komunë me kaq shumë familje në nevojë, ndihmat nuk u shpërndanë. Ata kërkuan analizë të shkaqeve – mungesë informimi, barriera dokumentacioni apo kritere të vështira.
Kryetari i Këshillit, Afrim Krkuti, theksoi se duhet sqaruar pse ndodhi kjo, në mënyrë që ndihma të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë. Ndërsa kryetari i komunës, Fisnik Mela, u shpreh se fondet duhet të rriten dhe të shfrytëzohen maksimalisht, pasi ky program është humanitar dhe duhet të përfundojë aty ku ka nevojë reale. Këshilltarët vlerësuan se programi është jetik për personat në nevojë dhe kërkuan që në të ardhmen të ketë vlera më të larta dhe shpërndarje të plotë të mjeteve. (koha.mk)




