E enjte, 9 Tetor, 2025
20.8 C
Skopje

DITA BOTËRORE E SHËNDETIT MENDOR: Të rinjtë nën presion, sistemi në kolaps!

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS), në vitin 2024 janë regjistruar mbi 15.000 raste të reja të sëmundjeve mendore dhe çrregullimeve të sjelljes, shifër kjo që paraqet rritje me mbi 12 për qind krahasuar me një vit më parë. Grupmosha më e prekur mbetet ajo 18–35 vjeç

 Anëmsha SHABANI

Shkup, 9 tetor  Në vend, çdo i katërti qytetar përballet me një formë të çrregullimit mendor gjatë jetës, por vetëm një pjesë e vogël kërkon ndihmë profesionale. Këtë e konfirmojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sipas të cilave rreth 20 për qind e popullsisë në vend vuan nga ankthi ose depresioni, ndërsa më pak se gjysma marrin trajtim adekuat. Në prag të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, që këtë vit shënohet me moton “Shëndeti mendor është e drejtë universale njerëzore”, ekspertët paralajmërojnë për një krizë të thellë sociale që po kalon nën radarët institucionalë.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS), në vitin 2024 janë regjistruar mbi 15.000 raste të reja të sëmundjeve mendore dhe çrregullimeve të sjelljes, shifër kjo që paraqet rritje me mbi 12 për qind krahasuar me një vit më parë. Grupmosha më e prekur mbetet ajo 18–35 vjeç. Psikologu Ilir Miftari deklaroi për gazetën KOHA se presioni për sukses, pasiguria ekonomike dhe ndikimi i rrjeteve sociale janë kthyer në faktorë kryesorë të përkeqësimit të gjendjes mendore. “Vitet e fundit, po shohim një valë të re të pacientëve të rinj që nuk janë domosdoshmërisht të sëmurë, por të shteruar emocionalisht. Sistemi arsimor dhe ekonomik nuk po u jep hapësirë për frymëmarrje. Shumë studentë dhe të punësuar të rinj po përjetojnë shterim emocional përpara se të ndërtojnë karrierën e tyre”, thotë psikologu, duke shtuar se trajtimi i çrregullimeve të tilla shpesh mbetet i paarritshëm për shkak të mungesës së mbështetjes publike.

Ndërkaq, në sistemin shëndetësor publik, situata është po aq alarmante. Në të gjithë vendin ka më pak se 90 psikiatër aktivë, ndërsa në shumë komuna të vogla nuk ka asnjë specialist. Klinika Psikiatrike në Shkup mbetet institucioni i vetëm terciar që ofron trajtim të plotë, por shpesh përballet me mbingarkesë dhe mungesë personeli. Në disa spitale rajonale, kujdesi mendor ofrohet ende në ambiente të papërshtatshme dhe me mungesë të stafit të trajnuar. Në anën tjetër, sektorët arsimor dhe social mbeten pothuajse të përjashtuar nga sistemi i mbështetjes psikologjike. Në shkolla publike ka mesatarisht një psikolog për mbi 1.200 nxënës, ndërsa shumë institucione të arsimit të mesëm dhe universitar nuk kanë fare shërbime të tilla. Kjo gjendje, sipas organizatave joqeveritare, i detyron të rinjtë të kërkojnë ndihmë në mënyrë private ose të mos kërkojnë fare.

“Shëndeti mendor është bërë luks. Konsulta e parë private kushton nga 1.200 deri në 2.000 denarë, ndërsa seancat e terapisë janë të papërballueshme për shumicën e të rinjve që punojnë me paga minimale. Kjo e shtyn një pjesë të madhe të tyre drejt vetëizolimit, depresionit dhe emigrimit si mënyrë për t’u shkëputur nga realiteti”, thekson aktivistja e shëndetit publik, Arta Demiri.

Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë, ka paralajmëruar se gjatë vitit 2025 do të përfundojë “Strategjia Kombëtare për Shëndetin Mendor 2025–2030” e cila synon rritjen e numrit të profesionistëve dhe hapjen e qendrave komunitare psikosociale. Por, deri më tani, asnjë plan buxhetor konkret nuk është publikuar. Ndryshe, bota sot kujton rëndësinë e kujdesit mendor si të drejtë themelore, ndërsa në vend shumë qytetarë vazhdojnë të përballen me depresionin, ankthin dhe lodhjen emocionale në heshtje, midis mungesës së mbështetjes institucionale dhe stigmatizimit shoqëror që ende i mban “në errësirë” ata që kanë më shumë nevojë për dritë. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm