Shkup, 5 dhjetor – Mbi 300 tituj, prej të cilave gjysma në gjuhën shqipe dhe gjysma nga letërsi të ndryshme botërore, është bilanci i veprimtarisë së shtëpisë botuese “Shkupi” për 30 vjet ekzistencë.
Këtë të dhënë e dha sot Ardian M. Ramadani në shënimin e 30 vjetorit të kësaj shoqate botuese, organizuar në lokalet e Komunës së Çairit, ku njëkohësisht, u promovuan edhe disa vepra të reja në kuadër të Ditëve të Letërsisë Suedeze, një aktivitet tradicional për vite me radhë, si fryt i bashkëpunimit midis SHB “Shkupi” dhe Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni” nga Borasi i Suedisë.
Ky aktivitet vjen pasi këto ditë SHB “Shkupi” realizoi me sukses aksionin “Blej e dhuro libër”, me ç’rast qenë pajisur me qindra libra bibliotekat e katër shkollave të mesme të Shkupit, “Zef Lush Marku”, “Marija Kiri-Skllodovska”, “Boro Petrueshevski” dhe e Shkolla e Mesme e Sarajit.
Aktivitetin e sotëm e përshëndetën kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, ambasadorja e Suedisë, Ami Larsson Jain dhe ambasadori i Çekisë, Jaroslav Ludva, të cilët folën për rëndësinë e letërsisë dhe komunikimit ndërkulturor midis vendeve dhe kontributin e jashtëzakonshëm që në këtë drejtim ka dhënë SHB Shkupi.
Librat që u promovuan sot i përkasin letërsisë suedeze, edhe atë për fëmijë, për të cilat foli përkthyesi i tyre Sokol Demaku. Ai theksoi se ndryshe nga vendet në Ballkan, në Suedi i kushtojnë shumë rëndësi letërsisë për fëmijë dhe këto vepra janë dëshmia më e mirë për këtë.
“Ah sikur Rita të kishte një bisht, po aq të bukur dhe të leshtë sa ai i ketrit. Por një ditë të bukur, kur Rita sheh një kapelë prej lëkure, mbi raftin e kapeleva në apartamentin e zonjës Von Franz, asaj i lindë një ide në kokë. Sara Helb dhe Helena Koch, dy shoqe dhe të dyja skenariste, shkruajnë një temë sëbashku me një temë klasike, që unë e kam përmbledhur me një thënie kësi lloji: “Të mos ndjehësh mjaftueshëm, i mirë je ashtu siç je”, tha midis tjerash Demaku . Demaku foli edhe për veprën tjetër “Plaka e Vogël prej spinaqi”, poashtu përkthyer prej tij.
Në këtë manifestim në Çair në kuadër të “Javes së letërsisë suedeze në Republikën e Maqedonisë së Veriut” u prezentuan edhe librat për fëmijë të shkrimtarit Rizah Sheqiri “Legjenda për mbretin e këngës”, botuar paralelisht në shqip e në suedisht, si dhe libri i përkthyer nga suedishtja në shqip “Qenina nga hedhurina”, përkthim në shqip nga i njëjti autor, i cili mbi tri dekada jeton në Suedi.
Kësisoj, letërsia shqipe është pasuruar me përkthime nga letërsia siedeze, por edhe letërsia suedeze është pasuruar me dy libra të përkthyera nga shqipja në gjuhën suedeze me librat e rinj nga të Rizah Sheqirit, “De små fiskarnas hav”- Deti i peshqëve të vegjël” dhe ”Tiden läker inte alla sår” -“ Koha nuk i shëron të gjitha plagët” që lexuesit suedez i ofron njohuri mbi plagët e shumta që ka marrë nëpër shekuj populli ynë.Në mesin e titujve që sot u promovuan, ishte edhe vepra “Lufta me Tritonët” nga autori çek, Karel Çapek, për të cilën foli ambasadori, Jarosllav Ludva. Ai midis tjerash foli edhe për dy shkrimtarët e mëdhenj të dy letërsive, çeke e shqiptare, Millan Kundera dhe Ismail Kadare, të cilët në të gjallë të tyre kishin qenë miq të ngushtë dhe madje kishin jetuar në të njëjtën rrugë(në Paris). Z.Ludva në vazhdim për Çapekun tha se ishte një shkrimtar me vizion i cili në këtë vepër që e botoi SHB Shkupi, paralajmëroi njerëzimin për rrezikun nga fashizmi.
Në fund, drejtori i SHB “Shkupi”, Azam Dauti dhe përfaqësuesit e Shoqatës “Migjeni” iu dhuruan libra mysafirëve të lartë si dhe të gjithë pjesëmarrësve në këtë solemnitet.




