Dodik rrezikon dënimin me burg prej 5 vjetësh, Gjykata merr vendimin më 26 shkurt

Vendimet e Gjykatës së shkallës së parë ndaj presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe ndaj ushtruesit të detyrës të drejtorit të Gazetës Zyrtare të këtij entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millosh Llukiq, do të shpallen më 26 shkurt.

Kështu njoftoi gjykatësja Sena Uzonoviq pasi Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës dhe mbrojtja mbajtën fjalët përfundimtare më 19 shkurt.

Vendimi do të mund të apelohet si nga Prokuroria, ashtu edhe nga mbrojtja.

Dodik dhe Llukiq akuzohen për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe rrezikojnë të dënohen me burgim deri në pesë vjet dhe ndalim të veprimtarisë politike.

Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve, të cilat parashikojnë se vendimet e përfaqësuesit të Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës nuk do të zbatohen në atë entitet.

Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës, në seancën përfundimtare më 19 shkurt, kërkoi nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës që t’i shqiptojë një dënim me pesë vjet burgim presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe t’ia ndalojë atij veprimtarinë politike për dhjetë vjet.

Të njëjtin dënim maksimal prokurorët e kërkuan edhe për Millosh Llukiqin, ushtrues detyre i drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska.

Në deklaratat e tij përfundimtare, Millorad Dodik, tha se “ne duhet të luftojmë së bashku në mënyrë që Bosnje e Hercegovina të mos jetë më protektorat, por të rifitojë sovranitetin e saj”.

Ai vazhdimisht përsëriti se Schmidt është zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ka asnjë vendim të ndonjë institucioni që thotë se ai është përfaqësues i Lartë, prandaj, Dodik argumentoi se Schmidt nuk ka legjitimitet që të ndryshojë ligje.

Ai vuri në pikëpyetje Fuqitë e Bonit, duke i quajtur “blofi të komunitetit ndërkombëtar”.a

Dodik tha se Prokuroria dhe Gjykata e Bosnje e Hercegovinës nuk janë kategori kushtetuese dhe se ai është i vetmi në gjykatore, në cilësinë e presidentit të Republikës Sërpska, që është kategori kushtetuese.(REL)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm