Mes bombardimeve, qyteti përjeton momente qetësie të magjishme. Natën, banorët fikin dritat për të mos tërhequr dronët, dhe qielli i mbushur me miliona yje shfaqet mbi Sloviansk. Në mëngjes dëgjohen pëllumbat, ndërsa në mbrëmje qentë e rrugëve që krijojnë një kor të zymtë. Sirenat e alarmit bien shpesh, por askush nuk i vë më re. “Duhet të jetojmë”, thotë këshilltarja e kryetarit, Svitlana Vunichenko
Në një pasdite me diell këtë javë, plazhi në qytetin ukrainas të vijës së frontit, Sloviansk, ishte i mbushur me njerëz. Pushuesit laheshin në liqen, bënin banja dielli dhe pinin çaj. Rreth orës 15:30, një shpërthim i fuqishëm ndërpreu qetësinë. Një predhë artilerie shpërtheu aty pranë, duke ngritur një re të madhe tymi gri. Rosat u ngritën të trembura në qiell, ndërsa notarët hodhën një sy lart dhe vazhduan të notonin si zakonisht në ujin e kripur. “Pas tre vitesh lufte, jemi mësuar me shpërthimet. Nuk na shqetësojnë më”, tha Alyona, një pensioniste me rroba banje, raporton The Guardian. Ajo tregoi një bunker prej betoni pas kabinave prej druri dhe dushëve të jashtme.
“Nëse bombat bien afër, kemi strehën tonë”, shtoi ajo, përpara se të hynte sërish në ujë bashkë me shoqen. Ndërkohë, një burrë që shiste rrush lexonte i qetë një libër. Banorët e Slovianskut jetojnë me shpërthime që prej vitit 2014, kur Vladimir Putin nisi fushatën e tij për pushtimin e Ukrainës. Por së fundmi lufta është bërë e pamundur të shpërfillet. Këtë muaj, për herë të parë, dronë rusë kamikazë arritën në autostradën M-03, vetëm 2 km larg qytetit, duke sulmuar makina dhe autobusë. Një person u vra dhe dhjetë të tjerë u plagosën.
NJË QYTET KYÇ NË MBROJTJEN E UKRAINËS
Të premten, punëtorët po vendosnin rrjeta mes pishave dhe instalonin sisteme lufte elektronike. Ky “korridor antidronë” do të mbrojë rrugën që lidh katër qytete të veriut të Donetskut: Sloviansk, Kramatorsk, Druzhkivka dhe Kostyantynivka. Nëse Ukraina humbet këtë brez kodrinor mbrojtës, forcat ruse mund të avancojnë shpejt në fushën e hapur drejt Harkivit e më pas Kievit. Kryetari i bashkisë, Vadym Liakh, hodhi poshtë parashikimet për një përparim të Kremlinit në lindje. Ai tha se, ndonëse rusët kishin marrë disa fshatra në gusht, shumica tashmë janë rimarrë nga forcat ukrainase. “Nëse vazhdojnë me këtë ritëm, do t’u duhet një vit e gjysmë për të mbërritur në Sloviansk. Ndoshta edhe më shumë,” tha ai.
Liakh u shpreh optimist, edhe pse trupat ruse ndodhen vetëm 25 km larg. Ai kujtoi se Moska dështoi vitin e kaluar të pushtonte Pokrovskun, edhe pse zhvilloi një ofensivë të madhe atje.
Sa i përket deklaratave të fundit të Donald Trump pas takimit me presidentin Zelensky në OKB, Liakh ishte skeptik. “Si mund ta marrësh seriozisht dikë që ndryshon mendim çdo ditë?” Ai shtoi se qytetit i duhen raketa dhe armë me rreze të gjatë, për të rrëzuar dronët rusë dhe për të goditur objektiva në brendësi të Rusisë. Gjatë një samiti në Alaskë, Putin thuhet se kishte propozuar ndalimin e luftimeve nëse Ukraina dorëzonte të gjithë Donetskun, përfshirë Slovianskun. Por Liakh e quajti këtë një operacion propagandistik.
“Askush nuk do ta dorëzojë Slovianskun. As unë, as ushtarët tanë. Që kur e ka mbajtur Putini fjalën për ndonjë gjë?”
NJË QYTET SIMBOLIK DHE STRATEGJIK
Sloviansku ka një histori të gjatë. Qyteti, i njohur për prodhimin e kripës dhe pyjet e lashta të lisit, festoi këtë muaj 380-vjetorin. Për Moskën, është një objektiv simbolik. Në vitin 2014, milicitë proruse e pushtuan për tre muaj të dhunshëm, përpara se të tërhiqeshin pas kundërofensivës ukrainase. Qyteti është gjithashtu kyç për arsye praktike. Pjesa e pushtuar e Donetskut vuan mungesë uji pasi lufta shkatërroi kanalet sovjetike. Ndërsa zonat e kontrolluara nga Ukraina ende furnizohen nga lumi Siverskyi Donets.
“Rusët nuk rindërtojnë asgjë, vetëm shkatërrojnë e vendosin flamurin mbi rrënoja”, tha kryebashkiaku. Popullsia aktuale është rreth 50 mijë, mes tyre shumë ushtarë dhe të zhvendosur nga zonat përreth. Spitali i lindjeve i qytetit është i vetmi në rajon, me 40-50 lindje çdo muaj. Shkollat janë të mbyllura, duke funksionuar online. “Jeta vazhdon”, tha Liakh. Ekonomia lokale është gjallëruar falë ushtarëve me paga të mira. Apartamentet me qira arrijnë 35 dollarë në ditë, kur vizitojnë bashkëshortet apo të dashurat. Janë hapur dyqane e kafene të reja, përfshirë një restorant italian të quajtur “Palermo”.
JETA MES SHKATËRRIMIT DHE SHPRESËS
Edhe në kohë lufte, ka martesa e festa. Në parkun e qytetit, një çift i ri, Petro dhe Olena, pozonin për foto. Petro, ushtar, tha “Kam një javë pushim. Pastaj kthehem në front”. Parku ka një kopsht me papagaj dhe një mini-zoo. Sofia Karasova, me të dashurin e saj ushtar, tha “Unë besoj në vendin tim. Rusët janë agresorë. Por ne kemi të drejtën në anën tonë. Sigurisht që po përpiqen të na shtrëngojnë, prandaj na duhet më shumë ndihmë nga Perëndimi”.
Megjithatë, plagët e luftës janë të dukshme. Në rrugën Polyova, një bombë ajrore shkatërroi dy shtëpi. Në korrik, dy bomba goditën fabrikën e ëmbëlsirave, duke vrarë një 17-vjeçar dhe plagosur rëndë nënën e tij. Goditje të tjera shkatërruan hotelin “Ukraina” dhe disa sanatoriume historike.
Mes bombardimeve, qyteti përjeton momente qetësie të magjishme. Natën, banorët fikin dritat për të mos tërhequr dronët, dhe qielli i mbushur me miliona yje shfaqet mbi Sloviansk. Në mëngjes dëgjohen pëllumbat, ndërsa në mbrëmje qentë e rrugëve që krijojnë një kor të zymtë. Sirenat e alarmit bien shpesh, por askush nuk i vë më re. “Duhet të jetojmë”, thotë këshilltarja e kryetarit, Svitlana Vunichenko. Dhe në Sloviansk, mes kërcënimeve dhe plagëve të luftës, banorët vazhdojnë të bëjnë pikërisht këtë.