Ish-presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte mund të përballet me 30 vjet burg, dhe madje edhe me burgim të përjetshëm nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) e shpall fajtor për krime kundër njerëzimit në lidhje me “luftën e tij kundër drogës”, njoftoi sot presidenca e vendit.
“Por, kjo varet nga mbrojtja që mund të përdorë ish-presidenti”, tha zëvendës zëdhënësja e presidencës, Kler Kastro në një konferencë për mediat.
Sipas ueb faqes të GJNP-së, Gjykata nuk shqipton dënimin me vdekje, por mund të shqiptojë dënime deri në 30 vjet burg, ndërsa në rrethana të jashtëzakonshme dënime të përjetshme.
Arrestimi i ish-presidentit nga ana e Interpolit dhe policisë lokale është rezultat i një hetimi të GJNP-së mbi pretendimet se fushata e Dutertesit kundër trafikut të drogës çoi në mijëra vrasje jashtëgjyqësore ndërsa ai ishte prefekt i qytetit Davao dhe më pas shef i shtetit.
Duterte mbrëmë u dërgua në Hagë pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrest kundër tij për krime kundër njerëzimit në “luftën kundër drogës” gjatë kohës që ishte në pushtet.
Presidenti aktual Ferdinand Markos Xhunior, gjatë një konference për mediat disa minuta pasi aeroplani i Dutertes u nis për në Hagë, theksoi se qeveria po vepronte sipas kërkesës nga Interpoli, jo nga GJNP-ja, nga e cila Filipinet u tërhoqën në vitin 2019.
“Arrestimi i sotëm është në përputhje me detyrimet tona me Interpolin. Ka ndodhur që kjo të vijë nga GJNP-ja”, tha Markos.