Eurodeputeti slloven për dialogun Kosovë-Serbi: Gjithçka do të zgjidhet deri në fundvit

Eurodeputeti slloven nga radhët e “Lëvizjes për Liri”, Klemen Groshelj, në një intervistë për gazetën opozitare serbe “Nova“, tha se tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, nuk janë të dobishme për asnjërën palë, ndërsa ka paralajmëruar pasoja për Kosovën dhe Serbinë nëse vazhdojnë me këtë ritëm.

Groshelj, derisa ka komentuar zgjerimin e krizës në veriun e Kosovës, posaçërisht pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me serbë etnikë – ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra një polic dhe u plagosën dy të tjerë, theksoi se një ngjarje e tillë ishte tejet e “pazakontë” për t’u parë.

“Kjo ishte shumë e pazakontë për të parë. Mendoj se kjo nuk i sjell dobi asnjërës palë. Sido që të jetë, mendoj se do të ketë pasoja nga ata që i vëzhgojnë ngjarjet nga jashtë, nëse nuk ka një interpretim mjaft bindës të asaj çfarë ka ndodhur dhe ato pasoja do të ishin jashtëzakonisht negative për të dy palët”, nënvizoi slloveni.

Ai potencoi se “gjithçka” do të zgjidhet në rrjedhën e marrëdhënieve të tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë deri në fund të vitit. Eurodeputeti slloven shtoi se ekziston një konsensus brenda komunitetit trans-atlantik, sidomos në Uashington, se Kosova dhe Serbia do të arrijnë një lloj marrëveshje së shpejti nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

“Ekzistojnë mekanizma me të cilat gjërat mund të ndryshojnë, si për palën serbe ashtu edhe për atë kosovare. Të dyja janë shumë të varura nga BE-ja dhe Perëndimi në përgjithësi. Megjithatë, ka ende shpresë se do të arrijnë në një marrëveshje të pranueshme dhe vlerësimet, siç kam dëgjuar, janë se deri në fund të këtij viti gjithçka do të zgjidhet me një dokument shumë të qartë”.

“Më shumë pritet ‘përtej oqeanit’. Nga sa kam dëgjuar, këto janë vlerësimet e tyre. Do të shohim sa të sakta janë këto vlerësime, personalisht mendoj se do të shohim diçka tjetër. Unë, nga ana tjetër, pres që shumë shpejt të keni zgjedhje të jashtëzakonshme në Serbi, kështu që nuk jam optimist”, shtoi eurodeputeti slloven.

Raundi i fundit i negociatave diplomatike nën kujdesin e BE-së përfundoi me pozicione të acaruara nga të dy palët dhe me “pasione të pashuara” dhe ndërsa diplomatët në Bruksel po e humbin gradualisht kontrollin, skenën kanë filluar ta zotërojnë bandat krimnale të inkursuara nga Serbia. (AP)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm