Çdo ekip përbëhet nga tre anëtarë, ndërsa peshqit e vlefshëm për garë janë krapi dhe amuri. Një ditë më parë është bërë përcaktimi i vijës së peshkimit, dhe garën e ndjek një gjyqtar nga Federata e Peshkatarëve Sportivë të Maqedonisë së Veriut
Vjollca SADIKU
Dibër, 9 tetor – Sot, në ujërat e Liqenit të Dibrës, në organizim të Shoqatës së Peshkatarëve Sportivë “Trofta” nga Dibra, filloi turneu “Krap Kup”, i cili në këto gara memoriale mban emrin e peshkatarit të njohur sportiv dibran Bjondi Grazhdani, një nga themeluesit e kësaj shoqate.
Kryetari i shoqatës, Beli Haliti, për gazetën KOHA deklaroi se në këto gara të peshkatarëve sportivë marrin pjesë 20 ekipe me mbi 60 garues nga disa qytete të vendit. Sipas tij, ky aktivitet memorial nuk është vetëm një garë, por edhe një takim shoqëror – një mundësi për të ndarë momente miqësore, kujtime dhe respekt për Bjondin, duke forcuar lidhjet mes pjesëmarrësve.
Haliti informoi se vendndodhja e aktivitetit është në bregun e Liqenit të Dibrës, në afërsi të objekteve hotelerike. Çdo ekip përbëhet nga tre anëtarë, ndërsa peshqit e vlefshëm për garë janë krapi dhe amuri. Një ditë më parë është bërë përcaktimi i vijës së peshkimit, dhe garën e ndjek një gjyqtar nga Federata e Peshkatarëve Sportivë të Maqedonisë së Veriut. Gara përfundon më 12 tetor, me ndarjen e mirënjohjeve për ekipet dhe garuesit më të suksesshëm.
Shoqata e Peshkatarëve Sportivë “Trofta”, e cila para disa muajsh fitoi koncesionin për Liqenin e Dibrës, thekson se gjatë muajve në vijim do të organizojë edhe disa gara të tjera në peshkim, ndërsa interesimi për pjesëmarrje nga ekipet e ndryshme të vendit është shumë i madh. Në disa nga garat e ardhshme kanë shprehur interes edhe ekipe nga Kosova dhe Shqipëria. “Liqeni i Dibrës tashmë është bërë lider i garave të peshkimit sportiv, pasi ofron kushte shumë të mira. Edhe pse është liqen artificial, ai i plotëson të gjitha kushtet për organizimin e garave të tilla dhe, në fakt, mundëson zhvillimin e turizmit liqenor në komunën e Dibrës”, – tha Haliti.
Sipas tij, si koncesionare e liqenit, “Trofta” nuk realizon peshkim ekonomik, por vetëm peshkim sportiv, gjë që ka ndikuar pozitivisht në shtimin e fondit të peshkut në liqen. Në kuadër të planit vjetor, kjo shoqatë planifikon gjithashtu shumimin e peshkut dhe zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve sportive dhe ekologjike në liqen. (koha.mk)