Në Maqedoninë e Veriut sipas shefit të Repartit të karcinomit të gjirit në Klinikën Universitare “Nënë Tereza”, Ilir Ismaili, në vit regjistrohen rreth 1000 deri në 1100 raste të reja me kancer të gjirit
Besa IBRAIMI
Shkup, 30 shtator – Çdo vit, muaji tetor vishet në ngjyrë rozë për të kujtuar dhe ndërgjegjësuar shoqërinë për rëndësinë e parandalimit dhe diagnostifikimit të hershëm të kancerit të gjirit. Ky muaj simbolik i kushtohet jo vetëm grave që po përballen me këtë sëmundje, por edhe atyre që e kanë fituar betejën, si dhe kujtimit të atyre që nuk ia dolën. Aktivitetet, marshimet, dhe fushatat senzibilizuese në mbarë vendin synojnë të shpërndajnë mesazhin se çdo kontroll shpëton jetë.
Në Maqedoninë e Veriut sipas shefit të Repartit të karcinomit të gjirit në Klinikën Universitare “Nënë Tereza”, Ilir Ismaili, në vit regjistrohen rreth 1000 deri në 1100 raste të reja me kancer të gjirit. “Për fat të mirë në RMV kemi procedura diagnostifikuese të mirëfillta të cilat na mundësojnë diagnostifikim të hershëm. Kjo vlen edhe për trajtimin adekuat cilësor si dhe trajtimin e hershëm dhe të avancuar të karcinomit të gjirit duke filluar me hemoterapi, imunoterapi, target terapi, hormonoterapi apo me radioterapi. Për fat të mirë, klinika e onkologjisë dhe radioterapisë i posedon të gjitha modalitetet e tretmanit të karcinomit të gjirit. Këto modele janë procedura më të avancuara që përdoren në vendet më të zhvilluara, dhe që përdoren edhe tek ne”, tha Ismaili.
Sipas tij, personat e shëndosh që nuk kanë karcinom preferohet skrining programe që normal duhet të bëhen nëpërmjet institucioneve shtetërore, gjegjësisht Ministria Shëndetësisë, ndërsa tek pacientët me karcinom të gjirit preferohet që dy vitet e para të bëjnë eho të gjirit nga 2 deri në 3 herë në vit, ndërsa mamografi të gjirit 1 herë në vit. Në dy vitet e ardhshme eho në çdo 6 muaj dhe mamografi çdo dy vite.
Në prononcim për gazetën Koha, drejtoresha ekzekutive e shoqatës “Ezra”, Liridona Beqiri, tha se pjesë e rëndësishme e punës së tyre është linja telefonike SOS 24/7 e cila u ofron grave mundësinë për të marrë informacione, këshilla dhe mbështetje psikologjike në çdo moment.
“Kjo linjë është e rëndësishme veçanërisht për gratë në zonat rurale që nuk kanë gjithmonë akses të lehtë në shërbimet shëndetësore ose nuk kanë me kë të flasin për shqetësimet e tyre, pasi në komunitetet rurale reagimi shpesh është i dyfishtë. Mungesa e aksesit në informacione të besueshme, paragjykimet kulturore dhe stigma që lidhet me kancerin e gjirit janë pengesa serioze. Gjithashtu edhe frika nga diagnoza dhe shqetësimet për kostot e trajtimit bëjnë që disa gra të shmangin kontrollin dhe të mos reagojnë menjëherë ndaj mesazheve të fushatave”, u shpreh ajo, duke shtuar më tej se politika publike në vendin tonë mbetet shumë e fragmentuar dhe joefikase në trajtimin e çështjeve që lidhen me kancerin e gjirit.
Në përfundim, Tetori Rozë mbetet një kujtesë e fortë për rëndësinë e diagnostifikimit të hershëm, mbështetjes së vazhdueshme dhe fuqizimit të çdo gruaje përballë kancerit të gjirit. Ndërgjegjësimi është hapi i parë drejtë shpresës dhe shërimit. (koha.mk)