Disa prokurorë të lartë federalë në zyrat e avokatëve amerikanë në gjithë vendin kanë marrë urdhra të hënën të përgatiten për të nisur hetime ndaj Fondacioneve Shoqëri e Hapur, një grup i financuar nga miliarderi dhe donatori demokrat George Soros, konfirmuan burime për ABC News.
E para mbi këtë raportoi New York Times, më pas edhe një numër mediash amerikane. Urdhri nga Akash Sajng, një zyrtar i lartë në zyrën e zëvendësprokurorit të përgjithshëm Tod Blansh, iu dërgua zyrave të avokatëve amerikanë në të paktën shtatë shtete, konfirmuan burime të ABC News, duke përfshirë Kaliforninë, Nju Jorkun, Illinoisin, Miçiganin dhe Merilendin.
Në letër theksohen akuzat e mundshme që prokurorët mund të marrin në konsideratë, ndërsa përgatiten për të hetuar Fondacionet Shoqëri e Hapur, duke filluar nga mbështetja materiale për terrorizëm, zjarrvënie, mashtrim me telegrame dhe shantazh.
Zëvendëspresidenti Vens tha se “ekstremizmi i krahut të majtë” ndihmoi në vrasjen e Çarli Kirkut.
“Kjo ministri e Drejtësisë, së bashku me prokurorët tanë amerikanë të palodhur dhe të përkushtuar, do t’i japë gjithmonë përparësi sigurisë publike dhe do të hetojë organizatat që komplotojnë për të kryer akte dhune ose shkelje të tjera të ligjit”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë për ABC News kur u pyet për direktivën.
Një zëdhënës i Fondacioneve Shoqëri e Hapur, në një deklaratë për ABC News tha: “Fondacionet Shoqëri e Hapur dënon pa mëdyshje terrorizmin dhe nuk e financojnë atë”.