E enjte, 16 Tetor, 2025
9.8 C
Skopje

Fondi rezervë i Kosovës mbetet pa asnjë cent

Fillimisht, 4.8 milionë euro ishte vlera e ndarë nga buxheti i Kosovë për rezerva shtetërore, por Ministria e Financave në fund të muajit nëntor, vendosi që t’i bartë edhe 500 mijë euro në Fondin Rezervë. Këto mjete, më pas, sipas një vendimi të Qeverisë në detyrë të Haradinajt, u ndanë në kuadër të ndihmave për Shqipërinë pas tërmetit. Ndërkaq 800 mijë euro tjera, mjete të buxhetit, janë bartur javën e kaluar, duke arritur kështu shpenzimet në mbi 6 milionë euro

Qeveria në largim e Kosovës tashmë ka shpenzuar më shumë se 6 milionë euro nga Fondi rezervë i buxhetit për këtë vit. Ky Fond, sipas ligjit mund të shpenzohet vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara. Vlera më e madhe e shpenzimeve, sipas të dhënave të publikuara nga qeveria, përfshin çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me destinimin e këtij fondi. Fillimisht, 4.8 milionë euro ishte vlera e ndarë nga buxheti i Kosovë për rezerva shtetërore, por Ministria e Financave në fund të muajit nëntor, vendosi që t’i bartë edhe 500 mijë euro në Fondin Rezervë. Këto mjete, më pas, sipas një vendimi të Qeverisë në detyrë të Haradinajt, u ndanë në kuadër të ndihmave për Shqipërinë pas tërmetit që la pas më shumë se 50 viktima në njerëz, rreth 1 mijë të lënduar dhe dëme të mëdha materiale.

Ndërkaq 800 mijë euro tjera, mjete të buxhetit, në këtë fond janë bartur javën e kaluar, duke arritur kështu shpenzimet në mbi 6 milionë euro. Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave në Qeverinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se tashmë llogaria e Fondit Rezervë është zero. “Në qoftë se marrim raportin prej fillimit të vitit e deri më tani, në Fondin Rezervë kanë qenë 6 mijë e 130 euro. Kurse në mbledhjen e fundit të qeverisë, pjesa e mbetur është transferuar në zyrën e kryeministrit dhe tashmë nëse e shohim si Fond, si kategori, ai është zero”, tha Rafuna.

Në mbledhjen fundit të mbajtur më 17 dhjetor, Qeveria në detyrë e Kosovës,nga Fondi rezervë ka ndarë 390 mijë euro për shoqatat e dala nga e lufta e UÇK-së, 70 mijë euro për nevojat e Koordinatorit Nacional për Rini dhe Kulturë, kurse pjesën e mbetur në Fondin Rezervë prej 350 mijë eurosh, qeveria ka marrë vendim ta kalojë në buxhetin e zyrës së kryeministrit. Por, kryeministri në largim i Kosovës Ramush Haradinaj është shprehur se nuk ka informacione për vlerën dhe për cilat kategori janë ndarë. “Hyni dhe gjeni vendimet e qeverisë, të gjitha janë transparente, i gjeni shumat e ndara sepse nuk i di detajet. Kryetari i qeverisë nuk i dinë detajet, e dinë nga ka ardhur kërkesa kush e ka mbështetur, por në finalizim janë mekanizma tjerë ata i dinë detajet”, ka thënë Haradinaj në një konferencë pas mbledhjes së qeverisë. Por, zyra e kryeministrit të Kosovës nuk ka dhënë ndonjë përgjigjeje lidhur me ndarjen e këtyre mjeteve, konkretisht lidhur me bartjen e 350 mijë euro nga Fondi rezervë në zyrën e kryeministrit të Kosovës. Nga 6.1 milionë eurot e rezervave shtetërore, Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për realizimin e aktiviteteve të shënimit të 11-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 300 mijë euro për Delegacionin shtetëror të Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, 143 mijë euro mbështetje për ekipin olimpik të Xhudos “Ippon” në Pejë dhe 112 mijë euro për rregullimin e këndit të fëmijëve dhe Parkut të Paqes në Preshevë. Po ashtu, janë ndarë 115 mijë euro për punën e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, pastaj 171 mijë euro për kompensimin e shtesave dhe stimulimin financiar për vitin 2019 prokurorëve specialë, kurse për themelimin e Qendrës Përkujtimore në Bllacë, qeveria ka ndarë 100 mijë euro. Kurse vlera nën 100 mijë euro u janë ndarë për shoqata apo organizata të ndryshme.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm