Frikë nga rikthimi i Sirisë

Marrëdhënia mes Hezbollahut dhe Sirisë së Assadit bazohej te armiqësia e përbashkët ndaj Izraelit dhe aleanca me Iranin. Por kjo ndryshoi pas rënies së Assadit në vitin 2024 dhe ardhjes në pushtet të presidentit Ahmad al-Sharaa, një ish-xhihadist i lidhur më herët me Al-Kaedën, i cili largoi grupet e mbështetura nga Irani nga Siria dhe nisi një qasje më të afërt me Perëndimin

Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi këtë të martë, 16 qershor, që Izraeli të lejojë Sirinë të “merret me Hezbollah-un”, duke pretenduar se Damasku do të bënte një punë më të mirë. Kjo është hera e dytë brenda këtij muaji që Trump ngre këtë ide, e cila prek disa nga shqetësimet më të mëdha të Libanit: historinë e gjatë të ndërhyrjeve të Sirisë në vend dhe të kaluarën e udhëheqësve të rinj sirianë me grupet xhihadiste. Nuk është ende e qartë se çfarë propozon konkretisht Trump: nëse bëhet fjalë për dërgimin e trupave siriane në jug të Libanit apo për përdorimin e forcave siriane për të ndërprerë me forcë furnizimet me armë për Hezbollah-un. Por të dyja mundësitë kanë shkaktuar frikë dhe shqetësim brenda Libanit.

Siria dominoi skenën politike të Libanit për gati tre dekada. Forcat siriane hynë për herë të parë në vendin fqinj gjatë luftës civile libaneze në vitin 1976, zyrtarisht si “paqeruajtëse”, por qëndruan edhe shumë vite pas përfundimit të luftimeve, duke mbajtur një prani të gjatë ushtarake që nga shumë libanezë shihet si pushtim.

Kjo periudhë u shoqërua me mijëra raste zhdukjesh dhe vdekjesh, duke krijuar një mosbesim të thellë ndaj Sirisë dhe duke ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve. Për këtë arsye, çdo ndërhyrje e re siriane në Liban pritet të jetë shumë e papëlqyer. Hezbollahu, grupi militant shiit libanez i mbështetur nga Irani, ndërhyri në luftën civile siriane në mbështetje të ish-presidentit Bashar al-Assad, për të ruajtur një rrugë të rëndësishme furnizimi me armë që e lidhte me Iranin dhe Irakun. Grupi luajti një rol të rëndësishëm në mbajtjen e regjimit të Assadit në pushtet. Marrëdhënia mes Hezbollahut dhe Sirisë së Assadit bazohej te armiqësia e përbashkët ndaj Izraelit dhe aleanca me Iranin. Por kjo ndryshoi pas rënies së Assadit në vitin 2024 dhe ardhjes në pushtet të presidentit Ahmad al-Sharaa, një ish-xhihadist i lidhur më herët me Al-Kaedën, i cili largoi grupet e mbështetura nga Irani nga Siria dhe nisi një qasje më të afërt me Perëndimin.

Trump e ka vlerësuar disa herë Sharaa-n, duke e quajtur “një njeri të fortë” dhe “luftëtar”. Javën e kaluar, Sharaa mohoi raportimet se Siria po planifikonte ndërhyrje në Liban, duke thënë se këto pretendime janë “krejtësisht të pavërteta”. Megjithatë, një ndërhyrje e mundshme e regjimit të ri sirian me rrënjë islamiste mund të prishë ekuilibrin e brishtë fetar në Liban, sidomos për shkak të historisë së tensioneve ndaj komunitetit shiit, i cili përbën një pjesë të rëndësishme të popullsisë libaneze.

Michael Young, ekspert për Libanin dhe redaktor i lartë në Qendrën Carnegie për Lindjen e Mesme, e cilësoi idenë e Trump si “krejtësisht absurde”. “Dimensioni sektar këtu është shumë i rrezikshëm. Do ta përçante Libanin dhe do të ishte një katastrofë. Është një kuti Pandore që nuk duhet hapur. Sharaa do të bënte një gabim të madh nëse do ta ndërmerrte këtë hap”, tha ai për CNN. Mundësia e futjes së trupave siriane në Liban ka alarmuar shumë njerëz, pasi një pjesë e forcave që mund të përfshiheshin kanë prejardhje nga grupe islamiste dhe xhihadiste, të akuzuara për sulme ndaj minoriteteve brenda Sirisë. Libani është një vend me shumë komunitete fetare dhe etnike, ku përfshihen edhe një nga komunitetet më të mëdha të krishtera në rajon. Sipas ekspertëve, edhe grupet që kundërshtojnë praninë e Hezbollahut mund të preferojnë këtë të fundit përpara një ndërhyrjeje siriane.

“Do të mund të shihnit hyrjen e një ushtrie siriane të dominuar nga elementë salafistë. Kjo do të krijonte panik te të krishterët, druzët dhe shiitët. Ata nuk do ta pranonin”, tha Young. “Në vend që ta dobësonte Hezbollahun, kjo mund ta forconte atë”.

Një tjetër problem është se ende nuk dihet sa kontroll ka Sharaa mbi të gjithë Sirinë, veçanërisht mbi ushtrinë, çka sipas ekspertëve do ta bënte një ndërhyrje të tillë edhe më të rrezikshme. Përfshirja e Sirisë në çështjen e Hezbollahut rrezikon gjithashtu ta rikthejë Libanin në një krizë rajonale nga e cila vendi po përpiqet të largohet. Qeveria libaneze po përpiqet të rimarrë kontrollin mbi sigurinë e vendit, përballë fuqisë së madhe ushtarake të Hezbollahut. Sovraniteti i Libanit është tashmë nën presion, pasi Izraeli ende nuk ka tërhequr trupat nga jugu i vendit. Një zyrtar amerikan tha se marrëveshja e mundshme e armëpushimit mes administratës Trump dhe Iranit nuk përfshin një detyrim për tërheqjen e Izraelit nga Libani.

Megjithatë, Trump ka shfaqur hapur pakënaqësi ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se ai duhet të jetë “më përgjegjës për çështjen e Libanit”. Trump ka pasur përplasje me Netanyahun muajt e fundit, pasi beson se veprimet e Izraelit kundër Hezbollahut po e vështirësojnë një marrëveshje me Iranin.

Netanyahu reagoi për herë të parë ndaj marrëveshjes SHBA-Iran, duke pranuar se ai dhe Trump “nuk shohin gjithmonë njësoj”. “Ai është presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe unë jam kryeministri i Izraelit. Unë jam përgjegjës për interesat e sigurisë së Izraelit dhe kjo duhet bërë me mençuri”, tha Netanyahu. Ai theksoi gjithashtu se Izraeli nuk ka ndërmend të tërhiqet nga jugu i Libanit, Gaza apo Siria, duke thënë se kjo bëhet për “mbrojtjen e vendit”. Ndërkohë, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, ekstremisti Itamar Ben Gvir, reagoi ashpër ndaj idesë së Trump, duke thënë: Ideja për t’ia besuar sigurinë tonë terroristëve të ISIS-it, prerësve të kokave dhe vrasësve të vajzave të reja, nuk do të ndodhë.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm