Tiseler bëri thirrje për një përpjekje kombëtare për të identifikuar dhe shndërruar tunelet, stacionet e metrosë, garazhet nëntokësore, parkingjet dhe ndërtesat publike nëntokësore në strehimore për të “krijuar shpejt hapësirë për një milion njerëz”, duke shtuar se agjencia e tij do të paraqesë një plan gjithëpërfshirës gjatë kësaj vere
Gjermania po harton një plan të zgjeruar lidhur me rrjetin e saj të bunkerëve, mes frikës se një sulm rus mund të ndodhë brenda katër viteve të ardhshme, tha zyrtari më i lartë i qeverisë për mbrojtjen civile. Ralf Tiseler, kreu i Zyrës Federale për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën në Rast Fatkeqësish (BBK), tha se ekonomia më e madhe e Evropës nuk është e përgatitur në mënyrë adekuate dhe duhet të zgjohet ndaj mundësisë së një sulmi të tillë. “Për një kohë të gjatë, në Gjermani ekzistonte një bindje e përhapur se lufta nuk ishte një skenar për të cilin duhej të përgatiteshim. Kjo ka ndryshuar. Ne jemi të shqetësuar për rrezikun e një sulmi të madh lufte në Evropë”, i tha ai agjencisë së lajmeve Süddeutsche Zeitung, sipas The Guardian.
Tiseler bëri thirrje për një përpjekje kombëtare për të identifikuar dhe shndërruar tunelet, stacionet e metrosë, garazhet nëntokësore, parkingjet dhe ndërtesat publike nëntokësore në strehimore për të “krijuar shpejt hapësirë për një milion njerëz”, duke shtuar se agjencia e tij do të paraqesë një plan gjithëpërfshirës gjatë kësaj vere.
Ai theksoi se projektimi dhe ndërtimi i strehimoreve të reja do të zgjaste shumë, ndërsa kostoja do të ishte e lartë, dhe për këtë arsye do të ishte e dobishme të merrej në konsideratë shfrytëzimi i hapësirave që ekzistojnë tashmë dhe që mund të vihen në dispozicion për këtë qëllim.
Pushtimi i vazhdueshëm i Ukrainës nga Rusia ka ngjallur frikë në vende të tjera, veçanërisht në shtetet baltike, por edhe në Poloni dhe Gjermani, se Moska mund të hapë fronte të reja në Evropë, raporton The Guardian. Nga afërsisht 2000 bunkerë dhe strehimore të mbetura nga Lufta e Ftohtë në Gjermani, vetëm rreth 580 janë funksionalë, por shumica kanë nevojë për rinovime me vlerë shumë milionë euro. Ato ishin projektuar për të akomoduar rreth 480,000 njerëz, vetëm 0.5% të popullsisë së Gjermanisë. Për krahasim, BBK tha se Finlanda ka 50,000 strehimore, që korrespondon me mbrojtjen e 4.8 milionë njerëzve, ose 85% të popullsisë së vendit.
Tiseler tha se duhen bërë përpjekje edhe për të përsosur sistemet dhe aplikacionet e informacionit në mënyrë që qytetarët të mund t’u referohen atyre për t’u informuar se ku mund të kërkojnë strehim. Ai bëri thirrje për përmirësimin e sirenave paralajmëruese dhe mbrojtje më të mirë të tyre kundër hakerave, ndërsa i kërkoi qeverisë së Friedrich Merz të sigurojë fonde për zbatimin e planeve, pasi megjithëse ato janë konsideruar të nevojshme, fondet zyrtare nuk janë ndarë ende. Financimi për planet e strehimit pritet të vijë nga miliarda dollarë të liruar pasi frena e borxhit të Gjermanisë u pezullua në mars, duke lejuar shuma të mëdha shpenzimesh për ushtrinë, infrastrukturën jetësore si urat dhe rrugët që u lejojnë atyre të transportojnë tanke dhe furnizime, si dhe mbrojtjen civile.
Tiseler vlerësoi se të paktën 10 miliardë euro do të nevojiten gjatë katër viteve të ardhshme për të mbuluar nevojat e mbrojtjes civile dhe të paktën 30 miliardë euro gjatë dekadës së ardhshme. Ai bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një shërbimi të detyrueshëm ose vullnetar të mbrojtjes civile dhe u bëri thirrje qytetarëve të kontribuojnë vetë duke mbledhur nevojat themelore, për mungesën e mundshme të ujit dhe energjisë elektrike. “Apeli ynë është: mblidhni furnizime të mjaftueshme për t’ju mjaftuar 10 ditë, nëse është e mundur”, i tha ai gazetës, duke cituar apele të ngjashme nga qeveri të tjera evropiane.





