Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kritikuar Turqinë, duke thënë se është i tmerruar nga sjellja e këtij vendi dhe ka konsideruar se ai e ka shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas furnizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me “mijëra” dronë kamikazë “Skydagger”.
“Tash është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe është duke ëndërruar sërish për ringjallje të Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë synimet e tyre reale”, ka deklaruar Vuçiç.
Në dispozicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përveç sisitemit turk “OMTAS” për shkatërrimin e tankeve dhe fluturakeve pa pilot “Bayraktar” për mbështetje ajrore, do të jenë edhe dronët kamikazë “Skydagger” që shërbejnë për misione goditëse.
Një kontingjent i madh i dronëve “Skydagger” mbërriti të mërkurën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Në mesin e kontejnerëve gjenden mijëra dronë kamikazë të tipit “Ready-to-Fly” të destinuar për goditjen e objektivave statike dhe lëvizëse, duke i mundësuar FSK-së rritjen e aftësive goditëse në distancë. (AP)