Në vend, sipas të dhënave të raportuara nga MPB, në periudhën 2020- 2024 janë evidentuar 508 raste të dhunës seksuale dhe ngacmimit të fëmijëve. Fushata e nisur “1 nga 5” përmes ilustrimeve dhe udhëzimeve praktike synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të inkurajojë fëmijët ndaj fenomeneve abuzive
Evis HALILI
Shkup, 18 nëntor – Me sloganin “1 nga 5” dhe shumë material ilustruese ka nisur fushata me rastin e Ditës Europaine kundër abuzimit seksual me fëmijët – 18 nëntori. Ngritja e ndërgjegjësimit publik, inkurajimi i fëmijëve për të folur dhe ofrimi i njohurive dhe mjeteve për parandalim dhe mbrojtje për të rriturit është qëllimi i fushatës, zbatimi i së cilës filloi të martën në kuadër të projektit “Mbështetja e BE-së për Sundimin e Ligjit”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Një në pesë fëmijë në Evropë është viktimë e ndonjë forme të dhunës seksuale, abuzimin seksual, pornografinë e fëmijëve, shfrytëzimin seksual, abuzimin në internet ose ngacmimin nga bashkëmoshatarët. Në vend sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, në periudhën 2020-2024, janë evidentuar 508 raste të dhunës seksuale dhe ngacmimit të fëmijëve. Fushata zbatohet nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi së bashku me Avokatin e Popullit dhe Byronë për Zhvillimin e Arsimit.
Kryetari i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Dushan Tomshiq, i cilësoi statistikat të dhimbshme dhe të vështira, por ato nuk duhet të mbeten vetëm një numër, pasi pas çdo fëmije, qëndron një emër, mbiemër, familje, shpresa dhe besim tek të rriturit. Detyra jonë si institucione, si shoqëri, shpjegoi Tomsjiq, është të bëjmë gjithçka për të siguruar që ky besim të mos cenohet.
“ Kjo është arsyeja pse kjo fushatë është kaq e rëndësishme”, ka thënë Tomshiq. Zëvendës Avokatja e Popullit Sonja Trifunovska tha se fëmijët viktima të dhunës shpesh përballen me një traumë të dyfishtë – nga vetë dhuna dhe nga reagimi i pandjeshëm institucional.
“Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë protokolle më të mira, procedura miqësore për fëmijët dhe koordinim midis të gjitha shërbimeve kompetente. Por gjëja më e rëndësishme është ta parandalojmë atë para se të ndodhë, të edukojmë fëmijët që në moshë të vogël, të mbështesim prindërit dhe mësuesit dhe të ndërtojmë një shoqëri në të cilën çdo i rritur e di se ka një rol në mbrojtjen e fëmijëve”, ka thënë Trifunovska. Barbara Ligël, udhëheqëse e komponentit 4 të projektit tha se janë veçanërisht të shqetësuar për parandalimin e diskriminimit dhe dhunës bazuar në gjini, riintegrimin efektiv dhe risocializimin e autorëve të veprave penale në shoqëri dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Materialet e prezantuara të fushatës synojnë të arrijnë një qëllim të përbashkët – përmirësimin e sigurisë së shkollave, komuniteteve dhe shtëpive duke ofruar udhëzime të qarta dhe praktike për mësuesit, stafin e shkollës, familjet dhe vetë të rinjtë.
“Këto mjete janë hartuar për të na ndihmuar të vërejmë kur diçka mund të jetë e gabuar, të reagojmë me kujdes dhe të kuptojmë se ku të kërkojmë ndihmë nëse një fëmijë po dëmtohet. Njohja e shenjave të abuzimit dhe të dish si të reagosh mund të bëjë një ndryshim në jetën e një të riu që ka nevojë për mbështetje”, ka thënë Ligël. (koha.mk)



