Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se në lokacionin Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strellcit, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që potencialisht u përkasin viktimave të luftës e të cilat ende figurojnë në Listën e Personave të Zhdukur.
“Me urdhër të Prokurorit kompetent, mbetjet mortore u zhvarrosën dhe u dërguan në IML për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së”.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar ndaj zbardhjes së fatit të çdo personi të zhdukur dhe vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. U bëjmë thirrje qytetarëve që të ndajnë çdo informacion të mundshëm që ndihmon në këtë proces”, thuhet në njoftim.