Në Gjermani, qeveria Merz miratoi një projektligj, që u mundëson pensionistëve të punojnë më gjatë, duke paguar më pak taksa. Por çfarë e shtyu qeverinë gjermane që të miratojë “pensionin aktiv”, siç e kanë quajtur modelin?
Gazetari i Deutsche Welle, Auron Dodi në një lidhje me News24 tregoi më shumë në lidhje me këtë plan të qeverisë gjermane.
News24: Çfarë është konkretisht “pension aktiv” i ardhshëm në Gjermani?
A.Dodi: Pensioni aktiv është një model që qeveria gjermane e paraqiti si projektligj këtë javë. Është një model, që lejon të fitosh para shtesë pa paguar taksa, pas daljes në pension. Është menduar si ofertë për ata që duan të vazhdojnë të punojnë, pas arritjes së moshës së pensionit. Ky model i ri pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt, që më 1 janar 2026, ndaj diskutimi për të nisi që dje (16.10.) në Bundestag. Modeli i “pensionit aktiv” ofron lehtësime tatimore, kur punëdhënësi dhe personi në moshën e pensionit bien dakord të vazhdojnë marrëdhënien e punësimit.
News24:A ka një kufi të prerë për shumën e patatueshme?
A.Dodi: Po. Pensionistët mund të marrin deri në 2000 euro shtesë në muaj, që nuk ka nevojë t’i taksojnë, kur vazhdojnë punën. Për ta kuptuar më mirë: kur një pensionist fiton p.sh. 2.500 euro bruto në muaj nga puna e tij, taksa, ai duhet të paguajë në të ardhmen, vetëm për 500 euro. Pjesa tjetër përjashtohet nga tatimi. Me fjalë të tjera: personat që kanë arritur moshën e pensionit mund të fitojnë deri 24.000 euro në vit, të cilat nuk kanë nevojë t’i taksojnë.
News24:Kush përfiton prej këtij pensioni aktiv?
A.Dodi: Përfitojnë të gjitha ata, që duan të punojnë më gjatë se mosha e pensionit, gjë për të cilën bien dakord, si punonjësi, ashtu edhe punëdhënësi i tij. Pensioni aktiv nuk i jep një personi në moshën e pensionit pretendimin ligjor për punësim të mëtejshëm, ofron vetëm lehtësi tatimore.
Përsa u përket shifrave të përfituesve: Ministria gjermane e Financave pret që të ketë rreth 168.000 aplikues të rinj në vit, që mund ta pranojnë ofertën. Kjo është e barabartë me rreth një në katër përfitues.
Në aspektin fiskal, qeveria është e interesuar që të përqafohet ky model, pasi në këtë rast do të paguanin kontribute sociale si punëdhënësi, ashtu edhe punonjësi. Kjo do të lehtësonte edhe situatën financiare të sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe pensioneve.
News24:Dhe kush nuk ka të drejtë të përfitojë nga “pensioni aktiv”?
A.Dodi:Nga pensioni aktiv nuk përfitojnë të vetëpunësuarit; nuk përfitojnë nëpunësit civilë; përjashtohen ata që kryejnë ato që quhen “mini-punë”, pra punë ku fitojnë më e shumta 556 Euro në muaj dhe 70 ditë në vit; si dhe fermerët.
Në fakt, aktualisht, këto janë grupet, që kanë tendencë të punojnë më gjatë. Dhe qeveria Merz është në dijeni të këtij fakti. Prandaj, pas dy vitesh, pensioni aktiv do të rishqyrtohet, si model.
News24:A e subvencionon shteti gjerman me shuma të mëdha pensionin aktiv?
A.Dodi:Qeveria vlerëson se kostoja e kësaj mase do të jetë 890 milionë euro në vit, që nga hyrja e saj në fuqi më 1 janar 2026. Por po të llogarisim kontributet që do të paguheshin në arkat sociale, modeli mund të jetë me interes. Funksionimi i këtij modeli gjithsesi varet nga vendime individuale: si pensionisti duhet të ketë dëshirë të punojë, ashtu edhe punëdhënësi duhet ta mbështesë punësimin e mëtejshëm.
News24:Çfarë e bën qeverinë gjermane që të ofrojë një model të tillë pensioni?
A.Dodi:Qeveria e kancelarit Merz synon të zbutë me këtë, në radhë të parë, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar. Sfondi më i gjerë ka të bëjë me ndryshimin demografik.
Gjermania ndodhet para një sfide të madhe demografike: 4.8 milionë punonjës dalin në pension deri në vitin 2035. Janë kryesisht brezat e lindur nga mesi i viteve 1950 deri në fund të viteve 1960. Ishte një periudhë me numër të lartë lindjesh në Gjermani. Kjo rëndon sistemet shëndetësore dhe sociale, pasi më pak të punësuar duhet të kontribuojnë për më shumë pensionistë. Më tej, kujtojmë se “pensioni aktiv” ishte një premtim zgjedhor i kancelarit Merz. Me të qeveria sinjalizon se shoqëria vlerëson kontributin e të moshuarve, që vendosin të punojnë.
News24:Si është pritur kjo masë në Gjermani?
A.Dodi:Të enjten filloi në parlamentin federal, në Bundestag, diskutimi për paketën e pensioneve. Paketa pritet të miratohet, megjithese ka kundërshtime, sidomos nga deputetë të rinj konservatorë.
Reagimet e tjera fillestare në opinion janë të rezervuara. Kompania e sigurimeve të pensioneve p.sh. kujtoi kostot e masave, që sipas saj nuk zgjidhin asnjë problem. Ajo tha se shumë prej pensionistëve ndalojnë së punuari për arsye shëndetësore; ndalojnë nga kushtet e punës; ose sepse punëdhënësi nuk i do më. Por qeveria thotë se pensioni aktiv është vetëm një pjesë e paketës për pensionet. Përveç pensionit aktiv, qeveria do të miratojë një ligj për stabilizimin e pensioneve. Me të do të ruhet qëndrueshmëria e pensioneve deri në vitin 2031: niveli i pensioneve, që dihet se pasqyron raportin midis pensioneve dhe pagave, do të mbetet në 48%