Gratë e Dibrës drejt biznesit të ushqimit

Deri më tani, gratë e Dibrës dhe rajonit janë organizuar mirë në prodhimin e ushqimeve tradicionale dhe kanë marrë pjesë me sukses në panaire të ndryshme, duke promovuar produktet dibrane

Vjollca  SADIKU

Dibër, 5 maj – Në rajonin e Dibrës vepron me sukses Shoqata e grave “Radika D”, e cila, mes tjerash, organizon aktivitete edukative për gratë mbi prodhimin e ushqimeve tradicionale. Në këtë kuadër, shoqata realizoi punëtorinë me temë “Edukimi dhe përkrahja për procesin e regjistrimit në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari si operator ushqimi”.

Pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishin gra të papuna nga qyteti dhe fshatrat përreth, të cilat posedojnë aftësi dhe shfaqin interes për të nisur aktivitete prodhuese.

Sipas kryetares së shoqatës, Fadrija Mustafoska, punëtoria u realizua me ekspertë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, ndërsa pjesëmarrëset përfituan njohuri dhe informata konkrete për procesin e regjistrimit si operatorë ushqimi. Në pjesën e parë të punëtorisë, ato u njohën me mënyrën e regjistrimit, duke përfshirë plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim, si dhe me hapat e procesit nga prodhimi i ushqimit deri te plasmani në treg.

Në pjesën e dytë të punëtorisë, e mbajtur në Dibër, pjesëmarrëset u informuan mbi rregulloren për masat higjienike në bizneset e vogla, si dhe për pajisjet që duhet të posedojnë në aktivitetet e tyre si operatore ushqimi. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës së prodhimit të ushqimeve tradicionale.

Gratë patën gjithashtu mundësi të realizojnë trajnime individuale për plotësimin e dokumenteve që dorëzohen në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, në njësinë në Dibër, me qëllim përfitimin e statusit si operatorë ushqimi.

Këto aktivitete synojnë përforcimin e rolit të gruas në Dibër dhe rajon, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve dhe pavarësisë ekonomike të tyre. Shoqata në fjalë, e cila në vazhdimësi ka pasur përkrahje nga pushteti vendor dhe organizata në nivel qendror, ka luajtur një rol të rëndësishëm në fuqizimin e grave si në zonat rurale, ashtu edhe në qytet.

Deri më tani, gratë e Dibrës dhe rajonit janë organizuar mirë në prodhimin e ushqimeve tradicionale dhe kanë marrë pjesë me sukses në panaire të ndryshme, duke promovuar produktet dibrane. Tashmë, me krijimin e kapaciteteve në këtë drejtim, për hapjen e mini-bizneseve mbetet e nevojshme pajisja me certifikata si operatorë ushqimi. Pikërisht në këtë punëtori, gratë u informuan për procedurat e pajisjes me këto certifikata, duke krijuar mundësi reale për fillimin e prodhimit dhe plasmanit të ushqimeve në treg. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm