Sipas përfaqësuesve të Bashkësisë Lokale të fshatit Gurgurnicë, tashmë në të gjitha anët fshati është i rrethuar me deponi të egra
Urim HASIPI
Tetovë, 13 maj – Banorët e fshatit Gurgurnicë të Komunës së Bërvenicës ankohen për shumë probleme të grumbulluara ndër vite të cilët nuk zgjidhen. Infrastruktura rrugore dhe problemi me mbeturinat respektivisht deponitë e egra tashmë kërkojnë zgjidhje urgjente. Nga Bashkësia Lokale e këtij fshati thonë se dy herë brenda disa muajve kanë intervenuar në infrastrukturën rrugore edhe atë duke sanuar gropat dhe duke ndërtuar mburojë për të ndaluar rrëshqitjen e dheut në një pjesë të rrugës.
“Me vetëiniciativë kemi sanuar gropat sepse rruga është e dëmtuar, pra rruga nga fshati Stençe deri në fshatin Gurgunicë herën e fundit është asfaltuar kah mesi i viteve të 90-ta dhe prej atëherë lëvizim në atë rrugë e cila nuk plotëson standardet elementare për një rrugë normale. Kërkojmë nga Komuna por edhe nga pushteti qendror që kjo rrugë të asfaltohet dhe të vendoset si prioritet, pasi që banorët që qarkullojnë në këtë rrugë dëmtojnë makinat e tyre dhe është vështirë e kalueshme. Në një pjesë të kësaj rruge ne si fshat jemi organizuar gjatë muajit të kaluar dhe kemi ndërtuar mburoja me goma që të mos ketë rrëshqitje të dheut”, thotë Murat Vaiti, përfaqësues i Bashkësisë Lokale.
Krahas kësaj, problem kohëve të fundit janë edhe mbeturinat. Sipas përfaqësuesve të Bashkësisë Lokale të fshatit Gurgurnicë, tashmë në të gjitha anët fshati është i rrethuar me deponi të egra. “Kohëve të fundit kemi problem me mbeturina, sepse mbeturinat nuk merren rregullisht dhe banorët detyrohen që t`i hedhin në vende jashtë fshatit. Deri më tani kemi pasur 3 deponi të egra, tash kemi 4 deponi, pra në të gjitha anët jemi të rrethuar me mbeturina dhe ky problem duhet të zgjidhet. Një deponi është krijuar edhe afër shkollës. Është turp për një fshat që ka një pamje mahnitëse dhe natyrë të bukur të kemi pamje të këtilla”, thekson Vaiti.
Më tej nga Bashkësia Lokale e këtij fshati kërkojnë që kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski, të merret më seriozisht me problemet e tyre. Problem në vete sipas banorëve është se tash e 20 vite porositë përmes postës nuk arrijnë në derë të banorëve. Krahas deponisë dhe infrastrukturës, kërkojnë rregullimin e fushës së sportit, e cila ishe rregulluar gjatë kohës së fushatës dhe pas zgjedhjeve është tërhequr fusha artificiale.
Sipas banorëve, ka edhe probleme tjera të cilët duhet të merren në konsideratë nga kryetari i komunës, sepse ky fshat ndodhet larg 37 kilometra nga Tetova që ka shumë potenciale për zhvillimin e turizmit malor, pasi që ndodhet edhe afër Liqeni i Kozjakut. Por, mos interesimi i shtetit për ta zhvilluar këtë fshat, ka bërë që pjesa më e madhe e saj të jetojnë në mërgim. Edhe pse larg vendlindjes, banorët e këtij fshati gjatë verës kthehen në vendlindje dhe shumë punë infrastrukturore i kanë bërë me vetëiniciativë pasi që shteti nuk ka gjetur mënyra për të investuar. Banorët dyshojnë se me qëllim nuk ka investime që ky fshat me mbi 300 shtëpi të boshatiset. (koha.mk)




