Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-shefi i diplomacisë, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova do të mund të kishte shumë më tepër njohje ndërkombëtare nëse do të kishte një qeveri më aktive dhe të përgjegjshme në politikën e jashtme.
Hoxhaj ka folur për procesin e njohjeve, duke përmendur rastet e fundit të Sirisë dhe Sudanit.
“Mendoj që njohja e Sirisë, për të cilën jam gëzuar shumë, pasi jam marrë gjatë me të si dikush që e ka pritur opozitën siriane në ministri, është një hap i rëndësishëm. Edhe njohja e Sudanit ka qenë afër, por patëm dështuar sepse komuniteti i deputetëve atje e kishte kundërshtuar”, tha Hoxhaj, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7.
Ai shtoi se këto zhvillime tregojnë se me pak përpjekje dhe angazhim diplomatik, Kosova mund të arrijë edhe më shumë suksese në arenën ndërkombëtare.





