Këtë aktivitet në nivel institucional e organizon institucioni parashkollor “Breshia”, i cili u ofron nxënësve mundësinë që, pas përfundimit të orëve mësimore, të zhvillojnë aktivitete arsimore, të ushqehen dhe të marrin pjesë në lojëra rekreative. Sipas drejtoreshës së institucionit, Ajrie Daçi, qëndrimi ditor është një zgjidhje praktike dhe edukative për shumë prindër që punojnë me orar të plotë
Vjollca SADIKU
Dibër, 28 tetor – Në Dibër po vërehet një rritje e ndjeshme e interesimit të prindërve për t’i regjistruar fëmijët e tyre në qendrën e qëndrimit ditor, një shërbim që ndihmon familjet me prindër të punësuar. Këtë aktivitet në nivel institucional e organizon institucioni parashkollor “Breshia”, i cili u ofron nxënësve mundësinë që, pas përfundimit të orëve mësimore, të zhvillojnë aktivitete arsimore, të ushqehen dhe të marrin pjesë në lojëra rekreative. Sipas drejtoreshës së institucionit, Ajrie Daçi, qëndrimi ditor është një zgjidhje praktike dhe edukative për shumë prindër që punojnë me orar të plotë.
“Prindërit e angazhuar në punë e shohin këtu zgjidhjen për t’i vendosur fëmijët disa orë në këtë qendër, deri në përfundim të orarit të tyre të punës. Interesi po rritet nga viti në vit dhe aktualisht kemi rreth 70 fëmijë të regjistruar”, thekson Daçi. Ajo shton se qëndrimi ditor lehtëson punën e prindërve dhe njëkohësisht siguron edukim cilësor për fëmijët.
“Fëmijët ndahen në tri grupe sipas moshës: në grupin e parë janë nxënësit e klasave të para, në të dytin nxënësit e klasave të dyta, ndërsa në grupin e tretë – nxënësit e klasave të treta dhe të katërta. Aktivitetet zhvillohen sipas programit të punës që zbatohet nga edukatorët e çerdhes ‘Breshia’”, – shton ajo. Në Dibër, ndryshe nga qytetet e tjera ku këto qendra funksionojnë në kuadër të shkollave fillore, qëndrimi ditor organizohet në ambientet e çerdhes, konkretisht në objektin “Kolezia”, i cili ofron kushte të përshtatshme për akomodimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve. Edukatorët dhe arsimtarët e angazhuar në institucion thonë se gjatë qëndrimit fëmijët kryejnë detyrat e shtëpisë, marrin pjesë në lojëra edukative dhe zhvillojnë aftësi të reja në mënyrë argëtuese.
Një ndër prindërit, F. R., i cili punon në administratën publike në Dibër, shprehet i kënaqur me këtë shërbim. “Të dy jemi të punësuar dhe këtu kemi gjetur zgjidhjen ideale. Vajza jonë e vetme, që është në klasën e tretë, kalon orët pas shkollës në qendër. Kur e marrim pasdite, ajo i ka kryer detyrat dhe është relaksuar me shokët e saj”, thotë ai.
Të njëjtin vlerësim ndajnë edhe bashkëshortët F. M. dhe A. M., të cilët për të dytin vit sjellin vajzën e tyre në këtë institucion. “Akomodimi dhe kujdesi ndaj fëmijëve janë në nivel të lartë. Ushqimi është i rregullt dhe cilësor, ndërsa çmimi që paguajmë është mjaft i arsyeshëm”, shprehen ata. Për shumë familje dibrane, “Breshia” është bërë një institucion i domosdoshëm që ofron jo vetëm kujdes, por edhe formim të qëndrueshëm për brezat më të rinj, duke u kthyer kështu në një shembull pozitiv të përkujdesjes institucionale ndaj fëmijëve. (koha.mk)




