Përvjetorët e vetëm jubilarë, pjesë e Programit për shënimin e përvjetorëve jubilarë të ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishëm për vitin 2026 janë 90 vjetori i lindjes së Ferid Muratit, 80 vjetori i lindjes së Milazim Fejziut, 15 vjetori i vdekjes së Asllan Selmanit. Ajo që bie në sy këtë vit, është numri gjithnjë e më i vogël i institucioneve që aplikojnë
Evis HALILI
Shkup, 23 mars – 90 vjetori i lindjes së Ferid Muratit, 80 vjetori i lindjes së Milazim Fejziut, 15 vjetori i vdekjes së Asllan Selmanit janë tre përvjetorët e vetëm jubilarë që do të shënohen këtë vit, si pjesë e Programit për shënimin e përvjetorëve jubilarë të ngjarjeve dhe personaliteteve të rëndësishëm për vitin 2026, shkruan gazeta KOHA. Me një vonesë prej disa muajsh, Komisioni parlamentar i kulturës dhe turizmit miratoi në seancën e së hënës gjithsej 94 përvjetorë jubilarë, ndërsa Propozim-Programi duhet të miratohet edhe nga Parlamenti. Propozimi i vetëm që iu hoq listës ishte 15 vjetori i vdekjes së ish politikanes Dosta Dimovska.
Deputetja Velika Serafimovska, kryetare e grupit të punës për përgatitjen e Projekt-programit ka theksuar numrin e vogël të institucioneve që i janë përgjigjur (gjithsej 32), duke falënderuar Komunën e Prilepit që thuajse “mbush” programin çdo vit me numrin e propozimeve. Serafimovska është shprehur se programi është plotësuar po ashtu edhe me propozime nga vetë anëtarët e grupit të punës.
Propozues për përvjetorin e nobelistit Ferid Muratit është Akademia e Shkencave dhe Arteve, së bashku me Komunën e Gostivarit dhe Odën e Mjekëve të Maqedonisë, për Milazim Fejziun Universiteti i Tetovës dhe Komuna e Tetovës, ndërsa Asllan Selmani është propozuar nga Komuna e Kumanovës dhe Instituti i Gjeografisë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës – Shkup. Vitin e kaluar në listë ishin 13 data që lidheshin me ngjarje dhe personalitete shqiptare që kanë lënë gjurmë. Ky është programi i dytë i shënimeve jubilare pas një mungese prej gjashtë vitesh kur Parlamenti nuk miratoi asnjë program. Prej disa muajsh Komision i është drejtuar me kërkesë organeve shtetërore, shërbimeve publike, institucioneve shkencore, shoqatave të tjerë për të dorëzuar propozime për kalendarin e datave jubilare për 2026. Janë përgjigjur vetëm 32 institucioni me gjithsej 150 propozime.
Programi me datat jubilare hartohet çdo vit nga Parlamenti, ndërsa afati i dorëzimit të aplikimeve zakonisht është shtyrë disa herë nga Komisioni, për shkak të interesimit të vogël, nga viti në vit për të aplikuar. Programi përcakton përvjetorët e ngjarjeve të rëndësishme dhe personave të shquar me rëndësi të veçantë për zhvillimin shtetëror të Maqedonisë, afirmimin e trashëgimisë së saj historike dhe kulturore dhe kultivimin e vlerave të përgjithshme qytetare dhe festat shtetërore. Kalendari nuk jep mbështetje financiare, edhe as nuk përcakton fondet me të cilat do të realizohen aktivitetet. (koha.mk)




