Kasami: Projektet për Tetovën janë pranuar nga qeveria

Dy projektet e para janë miratuar nga qeveria dhe pritet që të fillojnë të realizohen vitin e ardhshëm përmes Ministrisë së Ekologjisë, sqaroi Kasami. Ai foli edhe për projekte tjera të cilët pret qeveria t`i përkrah vitin e ardhshëm

Urim HASIPI

Tetovë, 18 tetor – Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, është shprehur se komuna e Tetovës në thirrjen e qeverisë për përkrahje të projekteve ka aplikuar me tre projekte në vlerë prej rreth 4 milion euro. Sipas Kasamit, komuna aplikoi për ndërtimin e një pjese të ujësjellësit të Tetovës, respektivisht të gypit kryesor nga Kodra e Diellit e deri tek rezervuari mbi qytet, rikonstruimi dhe zgjerimi i rrjetit primar të ujësjellësit në lagjen Jashtë Vardarit dhe ndërtimi i objektit të shkollës së mesme Gjoçe Stojçevski. Dy projektet e para janë miratuar nga qeveria dhe pritet që të fillojnë të realizohen vitin e ardhshëm përmes Ministrisë së Ekologjisë, sqaroi Kasami. Ai foli edhe për projekte tjera të cilët pret qeveria t`i përkrah vitin e ardhshëm. Ai është shprehur se nuk janë shkurtuar mjetet për Tetovën por janë procedura që duhet të ndiqen.

“Unë e sqarova që janë 3.8 milion euro në bazë të vendimit të qeverisë që do të ndahen 44 euro për kokë banori dhe është llogaritur që komunës së Tetovës i takojnë 3.8 milion euro pra për shkak se bëhet fjalë për fundvit, ne këta mjete nuk do të mund t`i shfrytëzojmë këtë vit, projekti do të vazhdojë në janar, dhe ne do të aplikojmë për mjete në vlerë prej 10 milionë euro, që janë 250 milionË në vit dhe për katër vite ato mjete do t`ju ndahen komunave. Vazhdimi i Bulevardit Ilinden deri në dalje të Tetovës për në Gostivar do të përfshihet në mjetet për vitin e ardhshëm kurse sa i përket dy nënkalimeve problematike në Lagjen Dardania dhe rrugës për në fshatin Falisht, pasi të sigurohen lejet do të aplikohet për mjete vitin 2025”, deklaroi Bilall Kasami.

Kurse projekti për ndërtimin e shkollës së mesme Tekstile, pritet që të kalon në mbledhjen e radhës së qeverisë për shkak se mjetet është dashur të planifikohen në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe nuk janë planifikuar, prandaj sipas Kasamit në seancën e radhës të qeverisë këta mjete nga qeveria do të kalojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe më pastaj të përfundojnë në llogarinë e komunës së Tetovës.

“Në Aplikimin fillestar është aplikuar për realizimin e tërësishëm të projektit por për shkak të mjeteve të kufizuara për çdo komunë është reviduar me vetëm fazën e parë të projektit dhe tani përmes mjeteve të qeverisë të parapara për këtë vit do të realizohet vetëm faza e parë e tij në vlerë prej 2 milionë euro por për shkak se në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nuk ishin paraparë mjete të mjaftueshme faza e parë e këtij projekti nuk është përfshirë në statistikat që janë shpallur dhe do të përfshihen në periudhën në vijim nga mesi i muajit të ardhshëm. Tërë projekti i kësaj shkolle kap vlerën prej 5 milionë euro”, tha Kasami.

Në një komunikim me media, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami njoftoi se është dhënë leja për ndërtimin e stadiumit të qytetit dhe aty punimet vazhdojnë që kur është dhënë leja dhe pritet që të respektohen afatet për ndërtimin e të njëjtit. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm