E enjte, 9 Tetor, 2025
18.8 C
Skopje

Kosova pranoi nga Turqia mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger – deklarata e presidentes Osmani, Kurtit dhe ministrit Maqedonci

Shteti i Kosovës është pajisur me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger, që arritën të mërkurën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një postim në rrjetin social në Facebook ka shkruar se dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.

“Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët”, shkruan Kurti.

Kryeministri në detyrë tutje theksoi se këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ta janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut.

“Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore. Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion”, ka shkruar ndër të tjera Kurti në Facebook.

Pas pajisjes me dronët ka shkruar edhe ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovë, Ejup Maqedonci.

Ai në një postim në Facebook shkruan se shteti i Kosovës vazhdon të rrisë fuqinë e ushtrisë.

“Skydagger – Ready to Fly… Mijëra Skydagger 7” dhe 15″ fluturake pa pilot nga sot janë pjesë e arsenalit të ushtrisë sonë. SkyDagger janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese të cilët janë ndërtuar që në mënyrë të përpiktë të godasin objektivat lëvizëse dhe statike të armikut. Vazhdojmë të rrisim fuqinë goditëse të ushtrisë sonë!”, shkruan Maqedonci.

Pas pajisjes me dronë të tillë, ka pasur reagime nga shteti i Serbisë.

Presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq ka thënë se “Turqia nuk e dëshiron stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, duke e akuzuar Ankaranë për armatosjen e Kosovës.

E i menjëhershëm ishte reagimi i presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një postim në rrjetin social X, Osmani theksoi se është krenare për bashkëpunimin e ngushtë me Erdoganin, të cilin e përshkroi si “njeri të fjalës, që ka treguar kujdes të sinqertë për popujt e rajonit dhe ka kontribuar në stabilitet e siguri”.

“Vuçiq po e sulmon pa turp Turqinë – një vend që, si shtet anëtar i NATO-s, po ndihmon në mbrojtjen e paqes,” ka shkruar Osmani.

“Ndërkohë, Vuçiq mendon se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia në të njëjtën mënyrë siç kërcënon fqinjët. Në vend që të bashkëpunojë me shtetet e NATO-s, ai zgjedh partneritetin me Rusinë, Kinën dhe Iranin,” shtoi Osmani.

Presidentja tha se Kosova do të vazhdojë forcimin e lidhjeve me aleatët e NATO-s, duke modernizuar aftësitë mbrojtëse sipas standardeve të Aleancës dhe duke kontribuar në sigurinë kolektive.

“Vuçiq duhet të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë, në vend që të sulmojë vazhdimisht fqinjët e tij. Por për mendjen e tij hegjemonike, e fiksuar pas të kaluarës, një pjekuri e tillë duket e paarritshme”, shkruan tutje presidentja.

Në fund të reagimit, Osmani falënderoi Erdoganin dhe popullin turk për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës:

“Le të zgjasë përgjithmonë lidhja jonë e fortë Kosovë–Turqi”, tha ajo.

Por, cilat janë veçoritë kryesore të dronëve “SkyDagger 15”?

“SKYDAGGER RTF 15″ shquhet si një pajisje me performancë të lartë, e dizajnuar për të përmbushur nevojat e misioneve profesionale, qoftë në monitorim, shpërndarje ose përdorim të specializuar.

Ky dron kombinon shpejtësi, stabilitet dhe kapacitet ngarkese, duke ofruar një zgjidhje të besueshme për operacione të ndryshme ajrore.

“SKYDAGGER RTF 15″ ofron një kohë maksimale fluturimi prej 36 minutash, duke e bërë të përshtatshëm për operacione të zgjatura pa ndërprerje. Kur fluturon me ngarkesë, droni ruan performancën duke ofruar deri në 14 minuta fluturim, ndërsa rrethi maksimal i veprimit arrin deri në 10 km – një distancë e konsiderueshme për misione kërkimi, shpërndarje pajisjesh ose patrullime të largëta.

 

Me shpejtësi maksimale prej 130 km/h, “SKYDAGGER RTF 15″ garanton lëvizshmëri të shpejtë dhe reagim të menjëhershëm ndaj situatave të ndryshme operative. Kjo e bën ideal për misione urgjente, ku koha është faktor kritik.

Një nga avantazhet kryesore të këtij droni është kapaciteti i ngarkesës, që arrin deri në 5 kg.

Kjo mundëson transportimin e pajisjeve, materialeve ose sensorëve të ndryshëm, duke e shndërruar “SKYDAGGER RTF 15″ në një zgjidhje të gjithanshme për nevoja të shumta operative.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm