Tani, në zgjedhjet e vitit 2024, shqiptarët përfaqësohen me Bujar Osmanin e BDI-së dhe Arben Taravarin e koalicionit VLEN. LSDM garon sërish me Stevo Pendarovskin, ndërkohë që VMRO garon me Gordana SIljanovskën, kandidaten e njëjtë që humbi në zgjedhjet e vitit 2020. Në garë është futur edhe kryetari i Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski, ai i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, si dhe Biljana Vankovska e Levicës
I ndjeri Muharrem Nexhipi është kandidati i parë shqiptar për president që ka fituar numër rekord të votave në historinë e zgjedhjeve në Maqedoni. Për 20 vite me radhë, asnjë kandidat tjetër shqiptar nuk ka arritur të kalojë numrin e votave që mori Nexhipi që në zgjedhjet e vitit 1999 garoi nga radhët e PDSH-së. Ai arriti të fitojë 155.978 vota shqiptare. Atëkohë, president i Maqedonisë u zgjodh Boris Trajkovski i VMRO-DPMNE-së që në raundin e dytë fitoi 582.808 vota, ndërsa Tito Petkovski i LSDM-së mori 513.614 vota, shkruan gazeta KOHA.
Muharrem Nexhipi madje kishte fituar më shumë vota se Stojan Andovi i Partisë Liberale me 111.982 vota. Kandidat i PPD-së ndërkohë ishte Muhamed Halili që fitoi 45.731 vota. Në zgjedhjet e vitit 2004, Gëzim Ostreni i BDI-së mori 134.208 vota, ndërsa Zudi Xhelili 78.714.
President shteti në 2004 u zgjodh Branko Cërvenkovski me 550.317 vota kundrejt Sashko Kedevit të VMRO-së që mori 329.179 vota. Cërvenkovski në raundin e dytë u mbështet nga partneri i koalicionit qeveritar BDI.
Në vitin 2009, në zgjedhjet Presidenciale, Imer Selmani nga Demokracia e Re mori 147.547 vota, i pasuar nga Agron Buxhaku i BDI-së me 73.629 dhe Mirushe Hoxha me 30.225 vota.
Në 2009, vota të pastra shqiptare ishin rreth 230.000, që u cilësua si rekord i daljes së votuesve shqiptarë, potencial ky që sikur të ishte i unifikuar, me gjasë kandidati shqiptarë do të futej në garë edhe rrethin e dytë. Megjithatë, këtë vit, mandatin e presidentit të Maqedonisë e fitoi presidenti Gjorge Ivanov, i cili fitoi 453.616 vota në raundin e dytë, duke e lënë pas Lubomir Fërçkovskin e LSDM-së me 264.828 vota, raporton KOHA.
Në zgjedhjet e vitit 2014, VMRO-DPMNE sërish e kandidatoi Ivanovin për president, ndërsa fitoi një mandat të dytë me 534.910 vota kundrejt Stevo Pendarovskit të LSDM-së që atëkohë fitoi 398.077 vota.
Iljaz Halimi i PDSH-së në raundin e parë kishte marrë 38.966 vota, ndërsa BDI kishte bojkotuar zgjedhjet, pasi nuk kishte arritur marrëveshje me partnerin e koalicionit për kandidat konsensual.
Megjithatë, dy partitë shqiptare në Parlament – BDI dhe PDSH, kishin mbështetur ndryshimet e Kodit zgjedhor, konkretisht votuan uljen e censusit për zgjedhjen e presidentit, edhe atë nga 50 për qind në 40 për qind të votave, me çrast u dëshmua defaktorizimi i votuesit shqiptarë si faktor kryesor në zgjedhjen e presidentit. Nga 1.779.572 votues sa ishin të regjistruar në Listën zgjedhore, Ivanovi në zgjedhjet e vitit 2014 kishte marrë më pak se 50 për qind të votave.
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve të vitit 2020, garonin Stevo Pendarovski si kandidat i LSDM-së dhe Gordana Silajnovska, kandidate e VMRO DPMNE-së. Pas fitores së Pendarovskit qëndruan 435.656 votues, gjegjësisht ai fitoi 51.65% të votave, ndërsa profesoresha Siljanovska mori 377.346 vota ose 44.75% të votave të përgjithshme.
Në rrethin e parë të këtyre zgjedhjeve presidenciale, në garë ishin tre kandidatë, gjegjësisht përveç Pendarovskit dhe Siljanovskës, ishte edhe Blerim Reka, si kandidat i Aleancës së Shqiptarëve dhe Besës, i cili fitoi 75.915 vota ose 10.6% të votuesve.
Tani, në zgjedhjet e vitit 2024, shqiptarët përfaqësohen me Bujar Osmanin e BDI-së dhe Arben Taravarin e koalicionit VLEN. LSDM garon sërish me Stevo Pendarovskin, ndërkohë që VMRO garon me Gordana SIljanovskën, kandidaten e njëjtë që humbi në zgjedhjet e vitit 2020. Në garë është futur edhe kryetari i Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski, ai i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, si dhe Biljana Vankovska e Levicës. Raundi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 24 prill, derisa njëri nga dy kandidatët me më shumë vota, do të zgjidhet president në raundin e dytë më 8 maj, kur mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.