E shtunë, 18 Tetor, 2025
13.8 C
Skopje

Kumanova me më shumë votues 94.041, Llozova me më pak 1905, do të votohet në 3474 vendvotime

Të drejtë vote në Zgjedhjet e teta lokale 2025 kanë 1.832.415 votues, prej të cilëve 1.717.803 në vend përderisa 112 mijë të tjerë janë regjistruar në Listën e Vetme Zgjedhore me persona jashtë vendit, 2162 të burgosur ose në paraburgim dhe 450 votues në shtëpitë e pleqve. Votim në diasporë për zgjedhjet lokale nuk ka, por nëse personat të cilët janë në punë të përkohshme ose jetojnë jashtë vendit udhëtojnë në vend do të mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës.

Në Qytetin e Shkupit, numri i përgjithshëm i votuesve është 474.304 mijë. Nga komunat, më shumë qytetarë me të drejtë vote ka në Kumanovë – 94.041, Gostivar 82 893, Tetovë 87 878, Manastir 77.253, Aerodrom të Shkupit 68.772, Strugë 62.711 dhe Prilep me 62 053 votues. Më pak, ka në Llozovë 1905, Vevçan 2 092, Novaci 2429, Konçe 2716 dhe Rankovcë 2921 votues.

Sipas Kodit Zgjedhor, votimi zhvillohet në 3480 vendvotime, por këtë vit kemi gjashtë vendvotime ku nuk ka popullsi, kështu që votimi do të mbahet në 3474 vendvotime. Sipas informacionit të dhënë për MIA-n nga KSHZ-ja, 125 vendvotime kanë më pak se 10 votues të cilët do ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në vendvotimin më të afërt. Tetë vendvotime kanë nga dhjetë votues, gjashtë me 11, 18 me 12 votues dhe tre me nga 13 votues…

Vendvotimi me numër më të madh të votuesve është në Butel. Bëhet fjalë për vendvotimin 2915 me 1432 votues. Në 70 vendvotime ka mbi një mijë votues, dhe kudo ku ka pasur mundësi për shkak të funksionalitetit në votim, votuesit janë shpërndarë në vendvotimet fqinje.

Votuesi më i vjetër në vend i regjistruar në Listën Zgjedhore është i lindur më 15 maj të vitit 1918, përderisa më i riu që do të ketë mundësi të votojë do të hyjë në moshën madhore në vetë ditën e votimit më 19 tetor.

Numri i votuesve me 18 vjet të regjistruar në Listën Zgjedhore është gjithsej 25.603.

Zgjedhjet Lokale 2025 janë të tetat që nga pavarësia e vendit, ndërsa të katërtat në të cilat do të zgjidhen kryetarë komunash dhe lista të këshilltarëve në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Do të votohet në 3474 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista të kandidatëve për anëtarë të këshillave komunalë ose për gjithsej 10 490 kandidatë.

Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe të votuesve gjegjësisht kandidatura të pavarura.
<span;>Më së shumti kandidatë për kryetarë komunash ka për Qytetin e Shkupit – 16.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm