Gazmend Shpuza, i cili konsiderohej si njëri ndër historianët më të shquar shqiptar për atë kohë, e njihte mirë çështjen shqiptare në trojet e tyre etnike në ish-Jugosllavi, nuk kishte se si mos ta vërente atë, prandaj para se t’ia kthente përgjigjen kolegut të tij maqedonas, i shkroi një letër Ministrisë së Punëve të Jashtme, me të cilën shprehej qartë se pranimi i Maqedonisë duhej kushtëzuar me zgjidhen e çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi në përgjithësi, e të shqiptarëve që jetonin në troje e tyre etnike në Maqedoni në veçanti

Nga Qerim LITA
Me rënien e komunizmit dhe hapjen e kufijve midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, u krijuan kushtet për bashkëpunimin midis institucioneve kulturore-arsimore dhe shkencore të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Rrjedhimisht, në pjesën e dytë të vitit 1991, në Tiranë u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim midis Arkivit Qendror të Shqipërisë, që përfaqësohej nga drejtori i përgjithshëm, Gazmend Shpuza dhe Arkivit të Maqedonisë i përfaqësuar nga drejtori i përgjithshëm, Borisllav Naumovski. Ky i fundit, me 5 mars të vitit 1992, i shkroi një letër kolegut të tij në Tiranë, përmes së cilës kërkonte një angazhim personal të tij pranë Qeverisë shqiptare, për pranimin e Maqedonisë si “shtet të pavarur dhe sovran”. Siç do të shohim në vazhdim, në letër, Naumovski, nuk e përmend popullsinë shqiptare, sikur ajo nuk ekzistonte fare në atë ish-republikë Jugosllave, edhe pse shqiptarët përbënin së paku 1/3 e popullsisë së përgjithshme të saj.
Natyrisht, Gazmend Shpuza, i cili konsiderohej si njëri ndër historianët më të shquar shqiptar për atë kohë, e njihte mirë çështjen shqiptare në trojet e tyre etnike në ish-Jugosllavi, nuk kishte se si mos ta vërente atë, prandaj para se t’ia kthente përgjigjen kolegut të tij maqedonas, i shkroi një letër Ministrisë së Punëve të Jashtme, me të cilën shprehej qartë se pranimi i Maqedonisë duhej kushtëzuar me zgjidhen e çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi në përgjithësi, e të shqiptarëve që jetonin në troje e tyre etnike në Maqedoni në veçanti. Po në këtë frymë do t’i shkruaj edhe kolegut të tij maqedonas, ku ndër të tjerave ia bënte me dije atij se, përkundër përpjekjeve nga ana autoriteteve zyrtare të Shkupit “për ta reduktuar numrin e shqiptarëve në Maqedoni, gjithsesi fjala është për një përqindje të konsiderueshme të popullsisë së Republikës në fjalë” dhe si e tillë “popullsia shqiptare në Maqedoni nuk mund të trajtohet si pakicë”.
Letra e drejtorit të Arkivit të Maqedonisë, Borisllav Naumovski (e cila është shkruar me një shqipe të bastarduar), si dhe dy letrat e drejtorit të Arkivit të Shqipërisë, Gazmend Shpuzës, ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, fondi 507, të cilat enkas për lexuesit e gazetës KOHA, po i japim të plota.

* * *
- “Arkivi i Maqedonisë
Nr. 03-193/1-92
- 03. 1992, Shkup
I nderuari koleg,
Ju paraqitem në emër të Drejtorisë së përgjithshme të arkivave shtetërore të Republikës së Maqedonisë ku janë akumuluar shumë materiale arkivore për historinë e popullit maqedonas, fal edhe bashkëpunimin shumëvjeçar me Institutin tuaj, me lutje për angazhimin personal pranë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për pranimin e Republikës së Maqedonisë si shtet të pavarur dhe sovran.
Populli Maqedonas ka histori të gjatë shekullore, traditë të pasur kulturore dhe subjektivitet të dalluar. Pjesë e së vërtetës historike gjendet edhe ne depot e arkivave tuaja ndërsa identiteti i saj bashkëkohor dhe civilizues njihet nëpërmjet të kulturës shumëvjeçare, shkencës dhe komunikacionit ekonomik që Republika e Maqedonisë e ka realizuar me shtetin e juaj në të kaluarën e posaçërisht në vitet e këtij shekulli deri më sot. Lidhjet e Maqedonisë me Evropën datojnë qysh prej shek. X kur nga brigjet e Liqenit të Ohrit, porositë e saja filloi t’i emitojë Universiteti i Shën Klimentit dhe Shën Naumit. Që atëherë e këndej, në këto hapësira kryqëzohen vlerat e civilizimit të perëndimit me ato të lindjes dhe sipas dëshmive që kanë lënë këtu nga Maqedonia krijuan një thesar të vërtetë të kulturës evropiane dhe botërore.
Një gjendje e këtillë e Maqedonisë ishte tërheqëse për shtetet fqinj dhe më të forta të cilat në mënyrë permanente me shekuj luftuan njëra me tjetrën për grabitjen dhe asimilimin e saj.
Rrënjët e thella dhe elastike të traditës kulturore maqedonase si dhe betejat shekullore për ekzistencë kontribuuan që populli maqedonas para 48 vjetëve të formoj shtetin e vet i cili sot fal proceseve demokratike në Evropë fitoi pavarësinë dhe sovranitetin e plotë. Maqedonia e tillë, e lirë demokratike dhe e pavarur sot pret pranimin e saj ndërkombëtar. Përpjekjet tuaja në këtë drejtim mund ta shpejtojnë procesin që Maqedonia sa ma shpejtë të përfshihet në bashkësinë e lirë demokratike të popujve të Evropës e cila është supozim i vërtet i stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit në Ballkan, Evropë dhe në botë.
Drejtori i Përgjithshëm,
Borisllav Naumovski”

* * *
- “Republika e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e arkivave të Shtetit
Nr. 255/1
Tiranë, më 4. 4. 1992
Ministrisë së Punëve të Jashtme
(Drejtorisë së Parë)
Tiranë
“Bashkëngjitur ju dërgojmë për njoftim fotokopjen e një letre që na ka ardhur nga kolegu Borisllav Naumovski, drejtor i Arkivave të Maqedonisë. Me anën e saj kërkohet angazhimi ynë pranë qeverisë sonë për njohjen e Republikës së Maqedonisë si shtet i pavarur e sovran.
Një kërkesë e tillë vjen nga një institucion me të cilin ne fillimisht filluam të kishim marrëdhënie relativisht të mira, marrëdhënie të cilat, duhet thënë u ftohën pas zgjerimit e thellimit të lëvizjes së shqiptarëve në Maqedoni për autonominë e tyre territoriale administrative.
Në letrën në fjalë bie menjëherë në sy fakti se aty injorohet krejtësisht prania e popullsisë shqiptare dhe të drejtat e saj në shtetin maqedonas që kërkon të njihet në arenën ndërkombëtare dhe të përfshihet në bashkësinë e lirë e demokratike të popujve të Evropës.
Duke mos pasur asgjë në parim kundër aspiratave të parashtruara nga kolegu ynë është e tepërt të shtohet që problemi ka lidhje të ngushtë me fatin e vëllezërve tanë përtej kufirit, me zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi në tërësi dhe të shqiptarëve në Maqedoni në veçanti. Në këtë sens mund t’i jepet përgjigjja nga ana jonë edhe drejtorit të Arkivit të Maqedonisë”.
Drejtori, Gazmend Shpuza

* * *
- “Republika e Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e arkivave të Shtetit
Nr. 255/2
Tiranë, më 8. 4. 1992
I nderuar koleg,
Kërkesën tuaj të datës 5 mars 1992 ia përcolla organeve kompetente së bashku me mendimin tim. Sipas meje fjala është për një aspiratë të ligjshme të kombit maqedonas, ekzistencën e të cilit e njeh zyrtarisht prej kohësh e deri në ditët tona vetëm shteti ynë. Me sa jam në dijeni kërkesa e Republikës së Maqedonisë për njohjen e saj ndërkombëtare po shqyrtohet nga qeveria jonë. Me këtë rast, i nderuar koleg, më lejoni, si miq të vjetër që jemi tash më, të shpreh edhe ndonjë mendim timin personal mbi probleme për të cilat jemi të interesuar që të dy si qytetarë dhe si studiues.
Në mbështetje të aspiratave tuaja ju me të drejtë u drejtoheni traditave historike e kulturore të popullit tuaj, i cili historikisht ka qenë në kontakt me popujt fqinj, midis tyre edhe me popullin shqiptar. Një pjesë e tij banon në trojet e veta etnike brenda kufijve të Republikës së Maqedonisë. Megjithë përpjekjet për ta reduktuar numrin e shqiptarëve në Maqedoni, gjithsesi fjala është për një përqindje të konsiderueshme të popullsisë së Republikës në fjalë. Si e tillë popullsia shqiptare në Maqedoni nuk mund të trajtohet si pakicë. Ajo përfaqëson një faktor objektiv aktiv dhe me peshë në tërë jetën politike, shoqërore dhe ekonomike në Maqedoni. Zhvillimet e fundit dhe shpallja e Republikës autonome Ilirida konform dhe në mbështetje të plotë të dokumenteve të Helsinkit dhe të Parisit janë argumenti i pakontestueshëm për sa u tha më sipër.
Pa marrë parasysh, afirmuar dhe sanksionuar të drejtat kombëtare të kësaj popullsie, duhet pranuar se organet shtetërore të Maqedonisë e vështirësojnë vetë pranimin e saj në bashkësinë e lirë dhe demokratike të shteteve të Evropës. Me keqardhje konstatova, i nderuar koleg, se edhe ju e injoronit në letrën tuaj faktorin shqiptar.
Burimet dokumentare, që ruhen, përpunohen e shfrytëzohen shkencërisht në institucionet tona arkivore, dëshmojnë e flasin për marrëdhëniet e mira të të dy popujve tanë. Në historinë e re e bashkëkohore të popullit maqedonas bie në sy një fakt, për mendimin tim, mjaftë domethënës, mjaft shprehës, i cili duhet vënë në pah dhe duhet theksuar. Ai është mjaft aktual e për rrjedhim duhet pasur mirë parasysh. Është fakt që Lëvizja Kombëtare e mirëfilltë maqedonase zhvillimin e saj më të madh e ka njohur në zonat e kontaktit me popullsinë shqiptare. E njëjta gjë duhet thënë edhe për zhvillimin e Lëvizjes antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit maqedonas gjatë Luftës së Dytë Botërore nga e cila doli para 48 vjetëve, siç e thoni edhe vetë, shteti maqedonas.
Gjithë kjo nuk është një rastësi dhe flet shumë për qëndrimi luajal e dashamirës dhe për më tepër. Miqësor të popullit tonë ndaj fqinjëve maqedonas.
Pozita jo e barabartë e shqiptarëve me maqedonasit në Republikën e Maqedonisë nuk mund të mos e cenoj imazhin e saj si shtet demokratik. Një Maqedoni plotësisht e lirë dhe demokratike, ku shqiptarët dhe maqedonasit me pakicat e tjera të jetojnë të barabartë do të gjente më lehtësisht vendin e vet në bashkësinë e popujve evropianë. Kjo do të ishte në interes të banorëve të Maqedonisë dhe të fqinjëve të saj. Përfitoj nga rasti i nderuar koleg të ju kujtoj se jemi në pritje të përgjigjes suaj për të zbatuar programet e përbashkëta, për çka u morëm vesh edhe në takimin tonë të fundit në Shkup në dhjetor të vitit të kaluar. Pranoni, i nderuar koleg, shprehjet e konsideratës sime më të lartë.
Drejtori, Gazmend Shpuza.
(koha.mk)




