Analistët theksojnë se rregullativa e BE-së për kripto – MiCA – përfshin masa mbrojtëse kundër monedhave stabile të huaja, gjë që, sipas tyre, mund të shihet edhe në pranimin e Lagard se “MiCAR është linja e parë e mbrojtjes kundër çdo sulmi nga monedhat stabile amerikane, ndërsa euro digjitale është e dyta”
Kriptovalutat i shtynë institucionet financiare botërore, veçanërisht bankat qendrore të vendeve të zhvilluara, të kërkojnë mënyra për “digjitalizimin” e parasë. Banka Qendrore Evropiane është ndër liderët, dhe së fundmi edhe presidentja e BQE-së, Kristin Lagard, e ftoi Parlamentin Evropian të veprojë shpejt për të siguruar ligjin për euron digjitale.
Njëkohësisht Lagard theksoi shqetësimin e saj për sovranitetin monetar, duke marrë parasysh urdhrin ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump për monedhat stabile. Shërbimi falas për pagesa digjitale, disponueshmëria në çdo vend të BE-së dhe mundësia për pagesa digjitale janë ndër përfitimet e euros digjitale. Edhe pse para zgjedhjeve të vitit të kaluar në Evropë, miratimi i legjislacionit për euron digjitale dukej i pashmangshëm, peizazhi politik ndryshoi. Për këtë arsye, Lagard kërkoi përshpejtim të digjitalizimit dhe shtoi: “Ky debat, sado i zjarrtë – sado i mundshëm që të shkaktojë shqetësim, është i nevojshëm sepse të gjithë do të mbajmë përgjegjësi përballë zhvillimeve historike nëse ky projekt të paktën nuk vihet në debat para jush në një afat të shkurtër”.
Komentet e saj erdhën në kontekstin e vendosjes së shpejtë të monedhave stabile në SHBA. Lagard vlerësoi pranimin amerikan të valutës digjitale dhe shpejtësinë e veprimit të Kongresit, në kombinim me urdhrin ekzekutiv presidencial të marsit. “Mendoj se ekziston një motivim politik shumë i fortë për të ecur përpara sa më shpejt, vendosmërisht. Jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në një bazë shumë më të gjerë, për arsye që lidhen me sovranitetin, për arsye që lidhen edhe me përhapjen e borxhit sovran”, theksoi Lagard.
SHQETËSIM PËR STABILITETIN DHE KOSTOT E IMPLEMENTIMIT
Lagard përsëri theksoi se ekziston shqetësim për depozitat që derdhen nga bankat në monedha stabile, të cilat potencialisht rrezikojnë stabilitetin financiar dhe politikën monetare. Por çfarë janë në të vërtetë monedhat stabile, cila është dallimi nga asetet kripto dhe pse ka kaq shumë shqetësim?
Në përputhje me të dhënat e deritanishme, monedhat stabile mbështeten nga mjete të sigurta si obligacionet shtetërore dhe janë të dizajnuara të veprojnë si urë mes kriptovalutave dhe sistemit financiar kryesor. Mbështetësit e tyre pretendojnë se ato janë më efikase se transferet ndërkombëtare bankare, por anonimiteti i tyre i ka bërë kanale popullore për tregti me drogë dhe pastrim parash.
Paralajmërimi i BQE-së tregon për shqetësim tek bankierët qendrorë për rritjen e monedhave stabile. Banka për Shlyerje Ndërkombëtare muajin e kaluar deklaroi se monedhat stabile “funksionojnë keq” si para, pasi nuk mbështeten nga bankat qendrore, nuk kanë mjaft mbrojtje kundër përdorimit ilegal dhe nuk kanë fleksibilitetin e financimit të nevojshëm për gjenerimin e kredive.
Analistët theksojnë se rregullativa e BE-së për kripto – MiCA – përfshin masa mbrojtëse kundër monedhave stabile të huaja, gjë që, sipas tyre, mund të shihet edhe në pranimin e Lagard se “MiCAR është linja e parë e mbrojtjes kundër çdo sulmi nga monedhat stabile amerikane, ndërsa euro digjitale është e dyta”.
RREZIQET NË LIDHJE ME PARANË DHE METODAT E TJERA TË PAGESËS
Por siç shkruan “Financial Times”, ngritja e monedhave stabile të lidhura me dollarin amerikan kërcënon të minojë kontrollin e BQE-së mbi politikën monetare. Jirgen Shaf, këshilltar në Departamentin për infrastrukturë tregu dhe pagesa të BQE-së, paralajmëroi se pranimi i shpejtë i monedhave stabile mund ta çojë eurozonën drejt kushteve të ngjashme me ekonomitë e “dollarizuara” në zhvillim, ku përdorimi i gjerë i dollarit amerikan mund të pengojë përpjekjet e politikëbërësve lokalë për të përcaktuar normat e interesit ose për të kontrolluar ofertën monetare. “Nëse monedhat stabile në dollarin amerikan bëhen të përdorura gjerësisht në eurozonë – qoftë për pagesa, kursime apo shlyerje – kontrolli i BQE-së mbi kushtet monetare mund të dobësohet”, shkroi Shaf në një artikull të publikuar në blogun e BQE-së.
Sipas tij, “kolapsi i parregullt” i monedhave stabile nga sektori privat mund të “reflektohet në gjithë sistemin financiar”, duke bërë që bankat qendrore të jenë gjithnjë e më të shqetësuara.
Tether dhe Circle menaxhojnë me dy monedhat stabile më të mëdha, por pritet që miratimi i legjislacionit amerikan për rregullimin e sektorit këtë muaj të hapë rrugën që bankat e Wall Street-it të lansojnë ofertat e tyre.
Për analistët është problematike lëshimi i monedhave stabile që u paguajnë interes depozituesve, sepse mund të thithin paratë nga depozitat bankare tradicionale, duke penguar aftësinë e huadhënësve për të siguruar kredi për ekonominë. “Rreziqet e lidhura janë të qarta dhe nuk duhet t’i nënvlerësojmë”, shkroi Shaf, duke shtuar si edhe Lagard se plani i BQE-së për të lansuar euron digjitale është “linjë e fortë mbrojtjeje e sovranitetit monetar evropian”.
Sipas Shaf, përpjekja e Trump për të promovuar monedhat stabile do të përforconte dominimin global të dollarit dhe mund të ulte kostot e huamarrjes për SHBA. “Për Evropën, kjo do të nënkuptonte kosto më të larta financimi në raport me SHBA-në, autonomi të reduktuar të politikës monetare dhe varësi gjeopolitike”, shkroi ai.
ÇKA ËSHTË TËRHEQËSE TE MONEDHAT STABILE
Lagard thekson se normat më të larta të interesit në SHBA mund të jenë arsye që një numër më i madh qytetarësh t’i pranojnë këto monedha të reja, pavarësisht rreziqeve. Edhe pse MiCAR ndalon ofertat për interesa për monedha stabile nga ofruesit evropianë të shërbimeve për asete kripto, përdoruesit që janë të aftë në kripto mund ta anashkalojnë këtë përmes DeFi ose platformave offshore.
Deputetët, gjithashtu, vunë në pikëpyetje kostot e implementimit. Raporti i PwC i këtij muaji i vlerësoi kostot për euron digjitale për bankat evropiane në 18 miliardë euro, duke vërejtur kufizime të kapacitetit që mund të pengojnë inovacione të tjera.
Lagard tha se nuk mund të komentojë për vlerësime konkrete për shkak të mungesës së transparencës në metodologji, duke shtuar “se kjo mund të përdoret si kërcënim dhe mendoj se duhet të harmonizohet me kostot që i vlerësojmë”.
Ekonomistët tregojnë se përparimi i monedhave stabile, kriptovaluta të lidhura me dollarin amerikan, paraqet kërcënim serioz për përpjekjet evropiane për forcimin e pozicionit global të euros. Shtesë shqetësim tek politikëbërësit shkakton rritja e vlerës së tregut të këtyre aseteve digjitale, e cila u rrit më shumë se dyfish për më pak se dy vjet, duke u ngritur nga 125 miliardë dollarë në rreth 255 miliardë dollarë, ku pothuajse 99 për qind e kësaj vlere lidhet me dollarin amerikan.
Zyrtarët frikësohen se pranimi në rritje i monedhave stabile mund të forcojë dominimin e dollarit në financat globale dhe të shuar shpresat që euroja të bëhet një konkurrent serioz. Prej vitesh, përfaqësuesit e BQE-së kanë promovuar futjen e euros digjitale si përgjigja më efikase ndaj kërcënimit nga valutat digjitale të huaja. Qëllimi është të ofrohet një alternativë e sigurt e bazuar në euro, që do t’ua lehtësojë qytetarëve dhe bizneseve qëndrimin brenda sistemit monetar të eurozonës.




