Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka sqaruar se asnjë subjekt i komuniteteve nuk mund të pengojë konstituimin e Kuvendit, edhe nëse refuzon të propozojë emrin e një deputeti për nënkryetar.
Sipas pikës 148 të aktgjykimit të publikuar të mërkurën, Kuvendi mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin prej anëtarëve të Kryesisë, me kusht që Kryesia të ketë kuorum dhe vendimet të merren me shumicën e anëtarëve të pranishëm, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Gjykata thekson se dështimi i konstituimit në rastin konkret i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur, përfshirë ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe në disa raste edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Vendimi i Kushtetueses obligon deputetët që të votojnë për nënkryetarin e propozuar, qoftë pro, kundër apo abstenim, dhe parashikon se votimi për të njëjtin kandidat nuk mund të tejkalojë tri runde.
“Në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, qofshin ato nga komuniteti shumicë apo nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht, do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum në vendimmarrjen e saj në përputhje me paragrafin 3 të nenit 20 (Mbledhja e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: ‘Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje’”, thotë Kushtetuesja.
Më 28 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli të konstituar Kuvendin e Kosovës, pavarësisht moszgjedhjes së një deputeti serb për nënkryetar. Lista Serbe dështoi të propozojë Sllavko Simiqin në tri runde, ndërsa votimi me short i dha mundësi edhe deputetit Nenad Rashiq nga partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, por as ai nuk mori votat e mjaftueshme.
Lista Serbe e ankoi në Kushtetuese ndarjen e procesit të votimit nga nënkryetari i komuniteteve joshumicë, por Gjykata konstatoi se nuk ka pasur shkelje në këtë procedurë.
Në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para dhe i ka fituar 48 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me nëntë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.
Ulëset tjera janë të rezervuara për pakicat.
Faktori ndërkombëtar ka bërë disa herë thirrje që Kosova t’i formojë sa më shpejt institucionet e reja.
Më herët gjatë ditës, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë u ka bërë thirrje deputetëve që t’i respektojnë vendimet e Kushtetueses dhe të mos i kenë në plan të parë interesat partiake.