E mërkurë, 12 Nëntor, 2025
12.8 C
Skopje

Leka i shqiptarëve dhe Mamdani i amerikanëve                

Një mysliman në krye të Nju-Jorkut dhe një maqedonas në krye të Kërçovës, duhet të kishin shumë ngjashmëri në aspektin e kulturës politike, por shumë çështje në prapaskenë, i bën ato me shumë pikëpyetje

Nga Daut DAUTI

  1. Shoh, po vlon nëpër rrjetet sociale nga ekzaltimi që kryetari i Nju Jorkut është bërë një mysliman. Kjo është edhe një dëshmi se në botë ndodhin çuditë madje edhe atje ku ndoshta ka shumë paragjykime fetare. Por, shoqëritë perëndimore dinë të befasojnë: në Britaninë e Madhe pothuajse radhazi u bënë “prime-ministra” dy ardhacakë me origjinë, njëri me rrënjë etnike turke, e tjetri indas. Njësoj si një firmë nga India e bleu para shumë vitesh për ta shpëtuar “krenarinë kombëtare” britanike, Roverin, ashtu prej andej me origjinë e patën edhe një kryeministër. Ish kolonizatori u vu nën pushtetin e një ish-të kolonizuari. Por zgjedhja e Zohran Mamdanit për “major” të Nju-Jorkut, duhet të jetë hap edhe më i madh, duke qenë se është një mysliman. Obama e pat thyer akullin për “të ngjyrosurit” dhe më nuk është kurrfarë tabuje që në të ardhmen të përsëritet, kurse myslimani në krye të Nju-Jorkut, dëshmon filozofinë e ekonomisë së tregut, ku dhe idetë janë në shitje!

Sepse, para se votuesit amerikanë të përcaktohen për dikë “ndryshe”, janë përcaktuar për idetë joshëse të tij, sidomos për shtresat sociale, të pastrehët, të papunët, në një kohë kur gjendja është duke u përkeqësuar.

Nëse e shikojmë zgjedhjen e Mamdanit nga prizmi vetëm i stereotipeve, do të bëjmë gabim. Para së gjithash, nuk ishte vetëm garë e një myslimani në shoqërinë me shumicë krishtere, por dhe një sfidë në pikëpamje ideologjike, pasi ai ofroi një program “socialist” për një shoqëri me drejtësi sociale. Ky ishte paragjykim më i madh, pasi në sytë e Trampit s’ishte gjë tjetër, një mashtrim nga një “komunist i keq”. Zaten debat për orientimet ideologjike ka kohë që është bërë si një lloj ushqimi shpirtëror në Amerikë, ku gjithnjë e më shumë demokratët (edhe Mamdani ishte kandidat i tyre) konsiderohen si të majtë, të helmuar nga idetë sorosiane! Humbja e republikanëve nga myslimani është edhe më i madh, sepse në fjalën triumfale e preku Trampin në pikën më delikate, atë të emigrantëve, duke ia kujtuar: “Nju Jorku do të mbetet një qytet emigrantësh, një qytet i ndërtuar nga emigrantët, i fuqizuar nga emigrantët dhe, që nga sonte, i udhëhequr nga një emigrant”.

SHBA-të janë një fenomen që shpesh dinë të japin leksione për gjithë botën, porse te kryetari i ri i Nju-Jorkut kemi të bëjmë edhe me vetë cilësitë e tij. Ai në fushatë u tregua si një orator i zhdërvjelltë i atyre përmasave, që nëse tregohet i suksesshëm në drejtimin e qytetit, që tash mund ta shpallë kandidaturën edhe për president në ndonjë garë të ardhshme. Nëse shoqëria amerikane me këtë zgjedhje tregon një nivel të lartë të kulturës, kjo nuk mund të thuhet për vetë Trampin, i cili nuk pranon lehtë t’ia marrin qytetin “e tij”, ndaj për inat të Mamdanit, paralajmëron shkurtimin e mbështetjes financiare, pra, në stilin “për inat të resë…”.

Njësoj si Mamdani në Nju-Jork, edhe në Maqedoni rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale nxori dy të ngjashëm. Në krye të Kërçovës, me shumicë shqiptare, u zgjodh një kryetar i ndryshëm prej tyre, Aleksandar Jovanovski.

E zgjodhën se pati ofertë më të mirë se kandidatët shqiptarë? E zgjodhën për të provuar një kandidat ndryshe nga ai i mëparshmi? E zgjodhën sepse nuk votuan etnikisht (pra, thyerje e një tabuje), por etikisht, me çka, tërthorazi lanë të ndodhë ajo që në Maqedoni ende është garë e përhershme, supremacia etnike. Në një shoqëri pa këtë lloj frustrimi, – ose pa këto tendenca të supremacisë, kur pjesëtarët e njërës ose tjetrës bashkësi mendojnë se “i tyri” do t’i çojë më mirë punët – s’do të ishte asgjë e çuditshme, kur një ofertë politike mund të jetë më e favorshme për të gjithë. Për fat të keq, mandati i kësaj qeverie, pjesa maqedonase, kuptohet, ka dhënë shumë argumente se çështjet e barazisë nuk janë kapitull i mbyllur, për më tepër kanë ndërmarrë hapa konkretë për kthim prapa, ndaj dhe përfundimi i garës parazgjedhore pikërisht për Kërçovën, s’ishte aspak për çështjet lokale, por për të dëshmuar nëse është “Kërcovë”, apo “Kiçevoo”.

Është fakt për kuriozitet, që në garën për Kërçovën, një betejë për të zbutur “humbjen shqiptare” doli zonja Jovanovski, Lindita, për të treguar se me zgjedhjen e të shoqit, shqiptarët s’do të humbin asgjë. Vërtet shqiptarët nuk mund të fitojnë ose humbin nga Aleksandri(Leka) i Linditës, sepse ai nuk mund të sjellë ligje që i sjell parlamenti për të drejtat etnike, por humbin nga ajo garë etnike që e ka nxitur partia e tij, e cila deri tash e ka hequr “balancerin” (ku më nuk dihet kush dhe sa punësohet në administratë, a ka përfaqësim etnik, partiak apo profesional, sepse ligjin që e zëvendësoi balancerin, mund ta supozojmë se si do të reflektohet), se pritet vetëm momenti për ta reduktuar ligjin për gjuhët (në iniciativën e ngritur po nga VMRO-ja), e pastaj, me të njëjtën mënyrë, edhe Badenterin. Mund të pritet që vërtet një kohë kryetari i ri i Kërçovës do të përpiqet të dëshmojë atë që ka thënë e shoqja, por Lindita, do të duhej të ishte supervizore e të shoqit se çfarë strukture etnike do të jenë punësimet në administratë dhe ndërmarrjet publike, dhe shumëçka tjetër ku vihet në sprovë barazia dhe drejtësia.

  1. Gjetja më e “madhe” të këtyre zgjedhjeve që thyen një tabu brenda shqiptarëve, ishte parimi i promovuar se nuk duhet të ketë votim etnik, por etik! Rezultatin e pamë. Në Kërçovë, ky votim u ndërlidh me çështje të moralit, dhe një pjesë votave shqiptare të mos kenë shkuar për kandidatin shqiptar, por ç’lidhje pati etika me heqjen dorë nga kandidati i Bërvenicës, i cili u anatemua pse ka kërkuar votat shqiptare, ndërkaq për Kërçovën jehonin fjalët e përsëritura “Kiçevo, Kiçevo, Kiçevooo”. Kjo ishte etike, sigurisht?

Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës parapëlqen etikën. Ai, fitoren e VLEN-it e sheh si rezultat i qeverisjes së tyre “me duar të pastra”: “Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara. Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, ka sjellur një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut…”.

Do të duhej të ndanim besimin që ka kryeministri në detyrë i Kosovës, por ka nevojë për një pyetje publike pikërisht rreth etikës: çfarë mendon për duart e pastra të shitjes së Monopolit të Tetovës për një euro të metrit katror, siç u akuzua nga oponentët e tij dhe disa media? Sa do të ishte shitur në Prishtinë, bie fjala një hapësirë e tillë? Mediat kritike kanë shkruar se pikërisht partia e kryetarit të tashëm të Tetovës kishte penguar kryetaren e mëparshme për të mos e shitur atë hapësirë, por kjo nuk e ka penguar ta bënte vetë? Ndoshta kryeministri kosovar në detyrë nuk ka këso informatash. Për mikun e tij të Tetovës është shkruar edhe shumëçka tjetër rreth tenderëve për njerëz të afërt të tij, por ndoshta as për këtë s’ka lexuar?

  1. Me rrethin e dytë, VLEN-i e vulosi fitoren e madhe me 10 kryetarë komunash, me çka ia mori BDI-së edhe atë argument të referendumit. Megjithatë, në këtë koalicion, duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo i obligon të jenë më syçelë në pjesëmarrjen e tyre në qeverisje, ku tendencat e partnerëve të koalicionit shihen nga aeroplani. Duhet të dinë se kjo fitore ishte më shumë ndëshkim ndaj BDI-së, se sa shpërblim për politikat e tyre. Pavarësisht se ka tendenca që ta “qytetarizojnë” aspektin e barazisë, duke e reduktuar në çështe të përgjithshme, VLEN-i duhet të jetë digë e çdo tendence degradimi të pozitës së shqiptarëve. Sepse, ndoshta shqiptarët edhe mund të rrinë pa ujë, e të ecin ndonjë rruge të paasfaltuar, madje edhe të durojnë bërllokun t’u mblidhet te dera, por nuk mund të pranojnë t’u cenohet gjuha, barazia në përfaqësim, mekanizmi kundër majorizimit…
  2. Gjersa Maqedonia e Kosova ende janë të preokupuar kush fitoi e kush po humb, Shqipërinë e dridh ligji për barazi gjinore, kundër të cilit janë çuar në këmbë opozita dhe shumë subjekte që mbrojnë institucionin e familjes tradicionale. Vërtet, çfarë është kjo nguti për t’ua plotësuar kërkesat LGBT-grupacioneve, kur në vetë BE-në ka shtete që janë kundër këtij lloji të “diskriminimit pozitiv”, me të cilat rrezikohen normat botërisht të njohura që nga kurdisja e botës?!

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm