Shkup, 26 shkurt – Përkundër faktit se sidomos universitetet shqiptare vazhdojnë të kundërshtojnë Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në seancën e sotme parlamentare përsëriti se ligji nuk diskriminon dhe se synon meritokracinë, modularitetin, mësimdhënien më praktike, ndërkombëtarizimin dhe bashkëpunimin më të madh.
Janevska theksoi se ligji synon dukshmëri më të madhe të universiteteve dhe profesorëve, fokus në studimet profesionale dhe përmirësimin e aftësive që deri më tani nuk kanë qenë të disponueshme në vend. Ajo shtoi se pjesë e reformës është edhe intensifikimi i pjesëmarrjes së bashkësive të biznesit në hartimin e programeve studimore dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës.
Ministrja paralajmëroi se nesër do të formohet grupi punues për Ligjin e Arsimit të Lartë, i cili do të shqyrtojë vërejtjet e dala nga debati publik, ndërsa një pjesë e propozimeve tashmë janë inkorporuar.
Sa i përket autonomisë së universiteteve, Janevska tha se ligji nuk ndërhyn në të, por kërkon funksionalitet të Këshillit të Universitetit. Për nenin që i jep të drejtë ministrit të ndalojë një vendim të Senatit nëse konstatohet se është i paligjshëm, ajo sqaroi se kjo është e kufizuar me kushte të qarta dhe se juristët e fakulteteve të drejtësisë do të japin formulimin përfundimtar.




