Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kishte një thirrje për liderët botërorë. Ai u kërkoi atyre një përgjigje të unifikuar ndaj sfidave globale dhe bashkëpunim e dialog përballë konflikteve.
Kjo sidomos në kontekstin e situatës së brishtë në rajon dhe luftës në Ukrainë.
Begaj, gjatë një interviste për “Euronews”, në Forumin Botëror të mbajtur në Baku, vuri në pah shqetësimet dhe sfidat më të cilat po përballemi dhe paraqiti vizionin për kapërcimin e tyre.
“Vërtet, jemi duke jetuar në kohëra të paprecedenta. Po ndodhin shumë gjëra. Ne përballemi me pasiguri politike, pabarazi ekonomike, ndryshime klimatike, sfidat shëndetësore dhe, sigurisht, probleme me arsimin. Po ashtu, përballemi me padrejtësi sociale”, tha Begaj.
Kreu i Shtetit theksoi se sfidat me të cilat po përballemi nuk mund të zgjidhen në mënyrë individuale apo rajonale.
“Ashtu siç kemi mësuar nga e kaluara, duhet të jemi të bashkuar në reagimin tonë”, tha Begaj.
Diskutimet në forum trajtuan çështjen e paqes, veçanërisht në kontekstin e konflikteve globale që po vazhdojnë.
Begaj, duke e cilësuar rajonin e Ballkanit Perëndimor “tejet i brishtë”, foli për rëndësinë jetike të paqes.
“Paqja është e paçmueshme. Mund të bëjmë çdo gjë për të rritur kapacitetet tona që të sigurojmë më shumë stabilitet në kontinentin tonë. Sigurisht, unë vij nga një rajon ‘tejet i brishtë’,” u shpreh ai.
Lufta në Ukrainë u theksua si një shqetësim kritik, duke nxitur thirrje për një bashkëpunim dhe dialog të zgjeruar ndërmjet kombeve. Begaj konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për mbështetjen e nismave që përputhen me vlerat humane.
“Kemi mbështetur çdo iniciativë që lidhet me vlerat humane, sepse me to duhet të bashkëjetojmë”.
Forumi i 11-të Global në Baku, me diskutimet e tij të gjera dhe praninë e liderëve globalë, ka hapur rrugën për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar.
Thirrja e Presidentit Begaj për një reagim të unifikuar ndaj sfidave globale thekson rëndësinë e solidaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët në tejkalimin e sfidave me të cilat bota përballet sot. (AP)