Macron: Franca në qëndrim mbrojtës

Paris, 18 mars – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Franca do të mbajë një qëndrim të qartë mbrojtës në përballje me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se prioritetet kryesore janë mbrojtja e qytetarëve francezë, mbështetja për partnerët dhe garantimi i sigurisë detare në rajon. Në fjalimin hyrës para Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, Macron nënvizoi se Franca nuk është palë në konfliktin aktual dhe nuk merr pjesë në operacionet ushtarake, duke theksuar se angazhimi i saj mbetet i kufizuar në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe stabilitetin rajonal.

“Franca nuk e ka zgjedhur këtë luftë dhe nuk merr pjesë në të. Qëndrimi ynë është mbrojtës, në funksion të mbrojtjes së qytetarëve dhe mbështetjes së aleatëve tanë”, deklaroi Macron.

Presidenti francez theksoi se objektivi i parë është mbrojtja e qytetarëve francezë, përfaqësive diplomatike dhe interesave të vendit në rajon. Sipas tij, Franca do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht ata me të cilët ka marrëveshje mbrojtjeje, duke synuar kufizimin e përhapjes së konfliktit. Ai veçoi situatën në Liban si një çështje me rëndësi të veçantë për Francën, duke theksuar praninë franceze në kuadër të misionit të Kombeve të Bashkuara dhe angazhimin për ruajtjen e stabilitetit dhe sovranitetit të këtij vendi.

“Ekziston gjithashtu një situatë specifike në Liban, një vend mik me rëndësi të veçantë për Francën, ku jemi të pranishëm përmes UNIFIL-it dhe bashkëpunojmë me autoritetet libaneze për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për të vazhduar luftën kundër Hezbollahut. Objektivi i tretë është të garantojmë lirinë e lundrimit dhe sigurinë detare në rajon. Kjo është thelbësore për interesat tona ekonomike, si dhe për tregtinë ndërkombëtare, gazin dhe naftën. Jemi të pranishëm në Mesdheun lindor, pranë Qipros, si dhe në Detin e Kuq dhe në Bab el-Mandeb”.

Në aspektin ekonomik dhe strategjik, Macron nënvizoi rëndësinë e garantimit të lirisë së lundrimit dhe sigurisë detare, duke përmendur praninë e forcave franceze në Mesdheun lindor, Detin e Kuq dhe Bab el-Mandeb, si dhe pjesëmarrjen në operacionin evropian “Aspides”.

Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, një nga pikat më të ndjeshme të krizës aktuale, Macron theksoi se Franca nuk do të marrë pjesë në operacione ushtarake për hapjen e saj në këtë fazë të konfliktit. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që, në rast të qetësimit të situatës, Franca së bashku me partnerët ndërkombëtarë të angazhohet në krijimin e një sistemi eskortimi për anijet tregtare dhe cisternat.

“Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, që është situata më e ndjeshme, Franca nuk është palë në konflikt dhe nuk do të marrë pjesë në operacione për hapjen e saj në këtë kontekst. Megjithatë, sapo situata të qetësohet, jemi të gatshëm, së bashku me partnerë të tjerë, të marrim përgjegjësinë për krijimin e një sistemi eskortimi për anijet tregtare dhe cisternat. Kjo do të kërkojë koordinim politik dhe teknik me aktorët detarë dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Indinë dhe vendet evropiane”, u shpreh Macron.

Fjalimi i presidentit francez u hap me një homazh për një ushtar francez të vrarë në Irak gjatë një sulmi me dron nga një milici pro-iraniane, duke theksuar përkushtimin e Francës në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare. Në përfundim, Macron ritheksoi se Franca synon të mbetet një aktor i qëndrueshëm dhe i besueshëm në rajon, duke punuar për de-eskalim, stabilitet dhe ruajtjen e interesave të saj strategjike.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm