Maqedonia e Veriut, ndët të parafundit për lumturinë (TABELA)

Në Evropë, për perceptimin e korrupsionit – Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë Hercegovina renditen përkatësisht të katërtat dhe të pestat më të korruptuara në botë. Shqipëria ndërkohë duke u renditur në vendin e 120, ose shteti i 27 më i korruptuar në botë

Evis HALILI

Shkup, 19 mars – Niveli i korrupsionit dhe mungesa e mbështetjes nga miqtë janë dy faktorët kryesorë që i bëjnë qytetarët e Maqedonisë ndër më të palumturit e Evropës, me përjashtim të Turqisë. Maqedonia e Veriut u rendit në vendin e 82 në “Indeksin e Lumturisë” për vitin 2026, ndërkohë që shteti më i lumtur në rajon është Kosova, e 16-a në botë, nga vendi i 29, që ishte vitin e mëparshëm. Pas Kosovës vijon Serbia që renditet në vendin e 30, Bosnjë-Hercegovina në vendin e 47, Mali i Zi në vendin e 60. Bosnja dhe Mali i Zi kanë një përmirësim me 10 vende nga viti i mëparshëm. Shqipëria u rendit në vendin e 86, e fundit për vitin 2026, me një përmirësim të lehtë nga pozicioni i 89 që kishte qenë një vit më parë.

Publikimi i Kombeve të Bashkuara, që bëhet çdo vit me rastin e Ditës së Lumturisë, që është në 20 mars, ofron një vështrim gjithëpërfshirës mbi nivelin e lumturisë në mbarë botën, duke u bazuar në të dhëna nga 147 vende.

Megjithatë, në një tendencë pozitive, të rinjtë duket se janë më të lumtur se një dekadë më parë. Tendenca është krejt e ndryshme për shtetin që flet të njëjtën gjuhë me Shqipërinë dhe gati me gjysmën e Maqedonisë, Kosovën, që këtë vit është renditur ndër 20 më të lumturit në botë. Në Evropë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria lë pas vetëm Turqinë, me këtë të fundit që është shteti më i palumtur i Evropës, në vendin e 94.

Raporti bazohet në disa tregues kryesorë për të matur lumturinë e një vendi: Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë (Masa e të ardhurave mesatare të qytetarëve); mbështetja sociale ose vlerësimi nëse individët kanë dikë tek i cili mund të mbështeten në kohë nevoje; jetëgjatësinë e shëndetshme; lirinë për të marrë vendime jetësore; bujarinë ose prirjen e qytetarëve për të dhuruar për bamirësi; si dhe perceptimin e korrupsionit në qeveri dhe biznes. Në Evropë, për perceptimin e korrupsionit – Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë Hercegovina renditen përkatësisht të katërtat dhe të pestat më të korruptuara në botë. Shqipëria ndërkohë duke u renditur në vendin e 120, ose shteti i 27 më i korruptuar në botë.

Treguesi i dytë me renditjen më negative është mbështetja sociale, në vendin e 108 dhe mungesa e ndjenjës pozitive, ku Maqedonia është në vendin e 112. Treguesit më pozitivë janë bujaria, ku renditemi në vendin e 79. Shqipëria renditet më mirë në këtë tregues – në vendin e 59, ndërsa në treguesin e lirisë për të marrë vendime jetësore, renditet e 37-a dhe të ardhurat për frymë në vendin e 67. Në treguesin pritshmërisë për të jetuar një jetë të shëndetshme, Maqedonia e Veriut vendi renditet në vendin 42.

Ndryshe, Raporti për “Indeksin e Lumturisë” tregon se Finlanda kryeson sërish si vendi më i lumtur në botë në raportin e vitit 2026, duke ruajtur këtë pozicion për të nëntin vit radhazi. Së bashku me Islandën dhe Danimarkën, ajo konfirmon se besimi i lartë tek institucionet dhe cilësia e jetesës janë ndër faktorët kryesorë që përcaktojnë nivelin e mirëqenies së qytetarëve.

Përtej Evropës, Kosta Rika dhe Meksika dallohen si raste të veçanta, duke u renditur mes vendeve më të lumtura në botë dhe duke lënë pas shumë ekonomi më të pasura. Kosta Rika është ngjitur në vendin e katërt – rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë nga një vend i Amerikës Latine, ndërsa Meksika ka bërë një kërcim të fortë, duke u ngjitur në vendin e 12-të nga vendi i 36-të që mbante në vitin 2022. Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen në vendin e 23-të, një nga pozicionet më të ulëta në historinë e tyre. Kjo vjen në vijim të një tendence rënëse që është vërejtur gjatë 15 viteve të fundit. Nga vendi i 11-të në vitin 2011, SHBA-ja ka rënë gradualisht, duke arritur nivelin më të ulët në vitin 2024, në vendin e 24-t. Një nga arsyet kryesore është përkeqësimi i mirëqenies te të rinjtë amerikanë, i lidhur shpesh me rritjen e përdorimit të rrjeteve sociale dhe përkeqësimin e shëndetit mendor.

Në Lindjen e Mesme, Izraeli renditet në vendin e tetë, duke qenë vendi më i mirë i pozicionuar në rajon, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe në vendin e 21-të dhe Arabia Saudite në vendin e 22-të. Ndërsa në Azi, Tajvani është i vetmi vend që renditet në 30-shen më të mirë globale, duke zënë vendin e 26-të. Në fundin e tabelës, Afganistani renditet si vendi më pak i lumtur në botë, i ndjekur nga Sierra Leone dhe Malaui. Prej vitesh, paqëndrueshmëria politike, lufta dhe kufizimet ndaj të drejtave dhe lirive kanë thelluar ndjesinë e pasigurisë dhe mungesës së shpresës në vend.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm