E premte, 3 Tetor, 2025
4.8 C
Skopje

MAQEDONIA NË VENDNUMËRO: Patate dhe biskota, 12 për qind e fëmijëve me mbipeshë

Këto shifra janë dy herë më të larta sesa mesatarja globale, që është 5 për qind dhe më shumë sesa ajo evropiane që është 8 për qind. Më shqetësues është fakti se gjatë 2012 (13 për qind) -2024 (12 për qind) në vend nuk është shënuar ndonjë progres për të përmbushur objektivat e vitit 2030 për reduktimin e mbipeshës në fëmijëri

 

Evis HALILI

Shkup, 16 shtator – Në Maqedoni 12 për qind e fëmijëve të moshës nën 5 vjeç janë mbi peshë. Të dhënat për shkallën e obezitetit në rang global për fëmijët e grupmoshës nga 0 deri 5 vjeç janë publikuar në raportin e UNICEF për vitin 2025 “Ushqyerja për fitim. Si mjediset ushqimore po dështojnë me fëmijët”. Këto shifra janë dy herë më të larta sesa mesatarja globale, që është 5 për qind dhe më shumë sesa ajo evropiane që është 8 për qind. Më shqetësues është fakti se nuk është shënuar ndonjë progres për të përmbushur objektivat e vitit 2030 për reduktimin e mbipeshës në fëmijërie, pasi kjo përqindje në vitin 2012 ka qenë vetëm 13 për qind. Ajo që veçohet në raport është gjetja se konsumimi i nënprodukteve të patates dhe biskotat e kripura përbënin midis 55 dhe 100 për qind të listës së produkteve më të tregtuara për fëmijët në faqen kryesore të platformave të shitjes.

Raporti përshkruan se si mjediset ushqimore i ekspozojnë fëmijët dhe adoleshentët ndaj një furnizimi të vazhdueshëm me ushqime ultra të përpunuara dhe pije me sheqer të lira dhe të tregtuara në mënyrë agresive, ndërsa dështojnë të bëjnë opsione ushqyese të disponueshme dhe të përballueshme. Ai gjithashtu shpjegon se si mungesa e politikave efektive i lë vendet të papërgatitura për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga këto mjedise ushqimore të dëmshme. UNICEF vëren se në vitin 2025, prevalenca globale e obezitetit tek fëmijët dhe adoleshentët në moshë shkollore tejkaloi nënpeshën për herë të parë. Ky ndryshim dramatik përballë kequshqyerjes rrezikon shëndetin dhe potencialin e ardhshëm të fëmijëve, komuniteteve dhe kombeve. Raporti zbulon se si mjediset ushqimore të pashëndetshme po kontribuojnë në rritjen botërore të mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët dhe adoleshentët.

Sa i takon rajonit, në Shqipëri rezulton se 17 për qind e fëmijëve të moshës nën 5 vjeç janë mbi peshë. Raporti vlerëson se ka pasur përmirësim te treguesi, nga 22 për qind që ishte për vitin 2012 ka rënë në 17 për qind. Në Serbi ka pasur progres nga 15 për qind në 12 për qind e fëmijëve. Ndërsa në Malin e Zi niveli i mbipeshës nga 15 për qind në 2012 në 2024 ka arritur në masën 9 për qind.

Në Evropë ndër shtetet me përqindje më të lartë të obezitetit te fëmijët pozicionohet Greqia me nivelin 14 për qind për 2024, Portugalia me 9 për qind, Anglia me nivel 8 për qind, Polonia me 9 për qind, Holandë me 5 për qind. Ndër shtetet e zhvilluara Gjermania renditet si në Evropë, por edhe në rang global me nivelin më të ulët të fëmijëve nën peshë me 3 për qind të tyre për grupmoshën deri në 5 vjeç. Në Japoni obeziteti arriti 2 për qind. Nga të dhënat rezulton se shkallën më të ulët të obezitetit në rang global e kanë shtetet e pazhvilluara apo që janë në konflikt, si Bangladeshi me 2 për qind nivel obeziteti për 2024 etj. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm