Problem mbeten shkollat në fshatrat e Malësisë së Tetovës, ku gati se çdo vit ka numër të vogël të nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Edhe përskaj kësaj, nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se viti shkollor do të fillojë në kohë
Urim HASIPI
Tetovë, 28 gusht – Disa ditë para fillimit të vitit të ri shkollor 2025/26, gjithsej në 12 shkolla fillore në Komunën e Tetovës janë regjistruar 931 nxënës. Sipas të dhënave nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës, në këto 12 shkolla janë regjistruar 770 nxënës shqiptarë në 46 paralele, 144 maqedonë në 13 paralele dhe 17 turq në 2 paralele.
“Sa i përket diferencës së numrit të nxënësve që do të fillojë këtë vit shkollor krahasuar me vitin shkollor 2024/2025, numri i nxënësve është pothuajse identik, nuk kemi rritje apo ulje të numrit të nxënësve, edhe pse fillimisht kur morëm të dhënat nga drejtoria e librave amë për fëmijët që kanë lindur në vitin 2019, ky numër ishte pak më i madh me numrin e fëmijëve të cilët janë lindur në vitin 2018, mirëpo sipas statistikës së regjistrimit të nxënësve për këtë vit shkollor, numri është i njëjtë me vitin paraprak shkollor në të gjitha 12 shkollat fillore të Komunës së Tetovës”, deklaroi Nazmi Dauti, nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës.
Problem mbeten shkollat në fshatrat e Malësisë së Tetovës, ku gati se çdo vit ka numër të vogël të nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Edhe përskaj kësaj, nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se viti shkollor do të fillojë në kohë.
“E dini që problematike ka qenë vetëm shkolla “Besa” në fshati Veshallë, ku ne kemi transferuar nxënësit në objektin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël. Megjithatë ka fëmijë të regjistruar në disa shkolla në klasë të parë, përveçse në fshatin Bozovcë, ku nuk kemi asnjë nxënës të regjistruar që ka qenë problem edhe viteve paraprake, megjithatë në të gjitha shkollat tjera të Malësisë së Tetovës ka numër të mjaftueshëm të nxënësve dhe nuk do të kemi asnjë pengesë. Viti shkollor do të fillojë më 1 shtator në të gjitha shkollat e Tetovës pa asnjë problem”, tha Dauti.
Në shkollën fillore të Bozovcës, mësimi për gjeneratat tjera do të vazhdojë normalisht, ndërsa kuadrit për nxënësit e klasës së parë nuk u rrezikohet vendi i punës. “Aty vazhdon procesi edukativo-arsimor për gjeneratat e tjera. E dini që shkolla fillore në fshatin Bozovcë është në suaza të Shkollës fillore ‘Besa’ në Reçicë me dy shkolla periferike, pra në Veshallë dhe Bozovcë dhe normalisht arsimtarët që nuk do të mund të angazhohen në fshatin Bozovcë do t`i angazhojmë në shkollën periferike që është në Veshallë dhe normalisht në shkollën qendrore ‘Besa’ në Reçicë”, tha më tej Dauti.
Në Shkollën fillore “Kirili Metodi” në qytetin e Tetovës thonë se edhe përkundër uljes së numrit të nxënësve në shumë shkolla, në këtë shkollë ka rritje të numrit të nxënësve. “Është një fakt se çdo vit shtohet numri i nxënësve sepse deri para tre viteve kemi pasur tre paralele në klasë të parë ose rreth 100 nxënës janë regjistruar, ndërsa prej tre viteve e këndej na shtohet numri i nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Këtë vit shkollor i kemi të regjistruar 120 nxënës, kurse deri në fillimin e vitit shkollor pritshmëritë janë që ky numër të arrijë deri në 130 nxënës”, deklaroi Sihana Kasami Kaba, drejtoreshë e Shkollës fillore “Kirili Metodi”.
Nga kjo shkollë thonë se që tre vite me radhë kanë formuar nga katër paralele. Viti shkollor në shkollat fillore dhe të mesme në vend fillon më 1 shtator. (koha.mk)




