Në ndërkohë, në këtë periudhë të vitit, në vijim e sipër është edhe vaksinimi kundër gripit sezonal. Mjekët apelojnë që qytetarët të vaksinohen dhe të mbrohen nga viruset e ndryshme
Urim HASIPI
Tetovë, 28 tetor – Ndryshimet e temperaturave gjithnjë paraqesin problem për personat të cilët janë të sëmurë kronikë dhe jo vetëm. Së fundmi, kanë filluar të paraqitet edhe virusi sezonal ose ndryshe, siç thonë mjekët, paraqitet gripi sezonal, i cili atakon popullatën që ka imunitet më të dobët. Mjekët thonë se ndryshimet e shpejta të temperaturave ditore kanë bërë që të rritet edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë, por jo edhe numër të madh. Ndërkaq, simptomat janë të zakonshme, pohojnë mjekët, ku kryesisht pacientët kanë dhimbje të eshtrave, dhimbje në fyt e kështu me radhë. “Sigurisht se me ndryshimin e motit presim që të ketë fluks të ri të pacientëve, të cilët vijnë në ambulancat tona dhe kërkojnë ndihmë. Ditëve të fundit, kemi një shtim të pacientëve por jo edhe në numër të madh, por kemi pacient që vijnë dhe ankohen për shkak të problemeve shëndetësore me ndryshimet klimatike, dhe normalisht ka filluar edhe virusi sezonal të qarkullojë në popullatë, andaj mundësia e përhapjes është e madhe për shkak se popullata qëndron në ambiente të mbyllura. Prandaj, kemi rritje të pacientëve të cilët kanë probleme me fytin, me hundët, probleme me temperaturën, dhimbje të muskujve, pra janë simptoma të zakonshme për këtë periudhë”, tha Bekim Ismaili, mjek.
Në ndërkohë, në këtë periudhë të vitit, në vijim e sipër është edhe vaksinimi kundër gripit sezonal. Mjekët apelojnë që qytetarët të vaksinohen dhe të mbrohen nga viruset e ndryshme. Tashmë është java e tretë e vaksinimit dhe kjo vaksinë aplikohet nga vitit 2018 e këndej. “Si duket ka interesim për të marrë vaksinën sepse duke parë statistikat vitin 2024, diku për 15 për qind ka patur rritje të pacientëve që marrin vaksinën kundër gripit. Por, ka qytetarë që nuk janë në kategorinë e atyre që duhet të vaksinohen, por e marrin të njëjtën. Apeli jonë është që të merret vaksina kundër gripit sezonal sepse duke parë përvojën e pacientëve që kanë probleme shëndetësore, të cilët e marrin vaksinën, ata më lehët e kalojnë gripin. Dihet se vaksina nuk mbron qind për qind, por pasojat janë më të vogla”, deklaroi mjeku Bekim Ismaili.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë informon se interesimi për vaksinim kundër gripit sezonal po rritet vazhdimisht. Deri më tani, janë regjistruar mbi 70 mijë qytetarë, ndërsa më shumë se 22 mijë persona janë tashmë të vaksinuar në mbarë vendin. Vaksinimi po zhvillohet në 35 pika vaksinimi, prej të cilave pesë ndodhen në Shkup. Të gjithë qytetarët e interesuar mund të paraqiten përmes aplikacionit vakcinacija.mk ose përmes mjekut të tyre amë. (koha.mk)




