Kryetari i Shoqatës “Porosia”, Bekim Ame, për gazetën KOHA deklaron se edhe në Dibër dhe rrethina ka një numër fëmijësh me autizëm, ndaj është e domosdoshme themelimi i një qendre për ta
Vjollca SADIKU
Dibër, 27 tetor – Prej disa vitesh, shoqata “Porosia” në Dibër po realizon aktivitete të ndryshme për përkrahjen e fëmijëve me autizëm. Kjo shoqatë ka informuar se, pavarësisht angazhimeve të shumta dhe kërkesave të vazhdueshme, Dibra ende nuk ka një qendër të dedikuar për fëmijët me autizëm.
Udhëheqësia e shoqatës qytetare thekson se në Dibër ekzistojnë kuadro profesionale që mund të angazhohen në këtë fushë, por mungesa e interesimit nga institucionet ka detyruar shoqatën të kërkojë bashkëpunim me donatorë të interesuar për hapjen e një qendre që do të shërbente jo vetëm për fëmijët me autizëm në Dibër, por edhe për ata që jetojnë në komunat përreth.
Kryetari i Shoqatës “Porosia”, Bekim Ame, për gazetën KOHA deklaron se edhe në Dibër dhe rrethina ka një numër fëmijësh me autizëm, ndaj është e domosdoshme themelimi i një qendre për ta. “Deri tani kemi pasur shumë kontakte me institucionet përkatëse, por iniciativa ka ngecur. Ne si shoqatë kemi organizuar disa ligjërata dhe trajnime me ekspertë të autizmit, si nga Shkupi ashtu edhe nga Shqipëria. Trajnimet kanë qenë të dobishme si për fëmijët me autizëm, ashtu edhe për prindërit e tyre. Megjithatë, problemi mund të zgjidhet më mirë nëse hapim një qendër në Dibër. Është një çështje shumë serioze, të cilës shpesh nuk i kushtohet vëmendja e duhur nga shoqëria e gjerë. Kam pasur takime me përfaqësues të disa qendrave që funksionojnë në vend, të cilët na kanë ofruar mbështetje. Ne si qytet kemi kuadrot e nevojshme për t’u ofruar shërbime profesionale fëmijëve me autizëm,” – thekson Ame.
Ai shton se disa fëmijë nga Dibra kanë marrë pjesë në trajnime në qendra të specializuara, si në vend ashtu edhe në Shqipëri, por këto trajnime duhet të jenë të rregullta dhe të vazhdueshme. “Kemi trokitur në shumë dyer, por themelimi i qendrës për autizëm vazhdon të mbetet pezull,” shton Ame, duke theksuar se një pjesë e prindërve fatkeqësisht nuk i paraqesin fëmijët e tyre me autizëm në institucionet shëndetësore.
Sipas tij, tashmë ekziston një ofertë konkrete nga një mërgimtar dibran që jeton në SHBA, i cili është shprehur i gatshëm të ndihmojë në hapjen dhe funksionimin e qendrës së re. “Jemi në bisedime dhe shpresojmë që ky projekt të realizohet,” – thekson kryetari i shoqatës.
Në lidhje me këtë çështje foli edhe drejtoresha e çerdhes “Breshia” në Dibër, Ajrie Daçi, e cila bëri të ditur se në hapësirat e këtij institucioni tashmë ekzistojnë dy dhoma senzoriale për fëmijët me autizëm. “Para disa vitesh dhe gjatë këtij viti kemi kompletuar dy dhoma me pajisjet e nevojshme për fëmijët me autizëm. Ato përdoren nga fëmijët autik që ndjekin çerdhen, por mund t’i shfrytëzojnë edhe fëmijët e tjerë që nuk janë pjesë e saj. Prezenca e fëmijëve me autizëm është e ndjeshme – në çerdhen tonë kemi evidentuar 29 fëmijë të tillë”, thotë drejtoresha Daçi.
Ajo shton se për fëmijët më të rritur nuk ka hapësira të përshtatshme brenda këtij institucioni, ndaj nevoja për një qendër të veçantë është e domosdoshme.
Nga shoqata “Porosia” theksojnë se do të vazhdojnë përpjekjet për themelimin e qendrës për fëmijët me autizëm. “Do të mundohemi të përkrahim familjet që ballafaqohen me sfidat e rritjes së fëmijëve me autizëm. Qëllimi ynë është t’i ndihmojmë ata që ta përballojnë sa më lehtë dhe në mënyrë sa më të mirë këtë situatë”, përfundon kryetari i shoqatës, Bekim Ame. (koha.mk)




