Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti paralajmëroi se në vitin 2024 do të ketë masa më rigoroze për pirjen e duhanit.
“Sot flasim në kolegjiumin e rregullt të së hënës me shërbimet në Ministri. Do të ketë masa rigoroze për pirjen e duhanit në vitin e ardhshëm, 2024, ndërkaq u nënshkrua protokoll me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Le ta mendojnë duhanpirësit se si më tej”, tha në përgjigjen e tij ministri Mexhiti.
Në pyetjen se deri ku është procesi për përfshirje të të gjithë pacientëve me fibrozë cistike me medikamentin “trikafta”, Mexhiti theksoi se bëhet fjalë për zgjidhje pragmatike dhe gjithëpërfshirëse.
“Këta pacientë ishin të kyçur nga dita e parë kur unë erdha ministër pas një muaji unë e solla “trikaftën” e parë, për ata tetë të parët e planifikuar, e më pas 12 pacientë, apo me çmim më të lirë në mënyrë që të mund ta rrisim numrin e pacientëve, atë që askush nuk besonte deri më tani. Unë personalisht besoja në vete dhe për aq kohë të shkurtë e zgjidha këtë problem. Ashtu do të veprojmë, do të duhet saktë të caktohet lokacioni ku do të kujdesen më tej pacientët, sepse nuk kishte as komision profesional dhe as protokolle të qarta”, theksoi Mexhiti.




