Përfshirja e UNFPA-s na mundëson të shohim sfidat dhe zgjidhjet nga një perspektivë më e gjerë, të mësojmë nga përvojat botërore dhe së bashku të krijojmë politika që do të sjellin ndryshime. Ajo që promovojmë sot është një program pesëvjeçar i cili do të zbatohet nga Qeveria dhe UNFPA, ka thënë në aktivitetin Trendët demografike – Veprim i përbashkët për investim dhe shfrytëzim të kapitalit njerëzor përmes Programit pesëvjeçar të Qeverisë dhe Fondit të Kombeve të Bashkuara për popullsinë (UNFPA).
“Ky program nuk është vetëm dokument apo formalitet, por është plan për veprim – vizion dhe strategji që do të realizohet me aktivitete konkrete, të drejtuara drejt së ardhmes së shtetit tonë dhe qytetarëve tanë. Kur flasim për resurset, shpesh përmendim pasuritë minerale, financat, infrastrukturën, energjinë, ujin apo pasuritë natyrore. E gjitha kjo është e rëndësishme. Por resursi më i rëndësishëm, ai që i lëviz të gjitha të tjerat – është kapitali njerëzor”, ka thënë Mickoski.
Recesioni demografik, sipas tij, nuk është fenomen i ri, ai zgjat më shumë se 70 vjet. Që nga viti 1950 e deri më sot numri i fëmijëve të porsalindur është në rënie të vazhdueshme. Në vitin 1950 në Maqedoni ka pasur mbi 50.000 foshnja të porsalindura. Në vitin 2024 kemi vetëm rreth 16.000 foshnja të porsalindura.
Kjo rënie ka dy arsye kryesore sipas tij: së pari, emigrimi i të rinjve dhe së dyti, ulja e natalitetit dhe e fertilitetit.
“Qeveria është e vetëdijshme për seriozitetin e këtij problemi dhe tashmë punon në disa drejtime. Krijuam rritjen më të lartë ekonomike në Ballkan – kjo do të thotë vende të reja pune, paga më të larta dhe më shumë mundësi për të rinjtë. Investojmë në të ardhmen e familjeve: gjashtë përpjekje falas për fekondim in vitro, me procedurë të përshpejtuar, të gjitha të mbuluara nga Fondi, nga tre i rritëm në gjashtë. Libra shkollor falas për nxënësit – sepse arsimi është themeli i rritjes demografike. Çerdhe të reja në disa qytete – që të ndihmojmë prindërit. Mbështetje për nënat, fëmijët dhe familjet, përmes masave të reja sociale dhe ekonomike”, ka thënë Mickoski.
Ky problem nuk është i izoluar vetëm tek ne. Sot me të përballet e gjithë Evropa dhe më gjerë – Ballkani, Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Kanadaja, Australia, Azia Lindore. Ajo që është simptomatike është se edhe vendet më të zhvilluara dhe më të pasura janë më së shumti të goditura, shton kryeministri.
Kjo edhe më shumë e thekson rëndësinë e politikave dhe masave që ndërmerren. Në fund duhet të themi – nuk ka asgjë më të rëndësishme se familja.
“Familja është themeli i një shoqërie, ajo është mësimi i parë dhe më i rëndësishëm në jetë. Fëmijët nuk janë vetëm dashuria dhe gëzimi ynë, ata janë e ardhmja jonë dhe ekzistenca jonë. Ta duam atdheun dhe ky akt patriotik do të thotë të kemi më shumë fëmijë. Të jemi prindër, të krijojmë të ardhme dhe të besojmë në të”, ka thënë ai.
Sipas regjistrimit të fundit jemi mbi 1,8 milion banorë. Kemi afërsisht mbi 700 mijë të punësuar rregullisht dhe rreth 350 mijë pensionistë. Popullsia reale e pranishme, sipas të gjitha vlerësimeve, nuk shkon mbi 1,5 milion. Pas 20 vitesh kam frikë se do të jemi shtet nën 1 milion banorë dhe atëherë do të kemi për një pensionist vetëm një të punësuar, ka thënë tutje Mickoski.
“Kjo do të thotë kolaps për fondin pensional, kjo do të thotë kolaps për fondin shëndetësor. Çdokush që e trajton këtë si lojë dhe nuk e kupton sa serioze është, nuk ia do të mirën shtetit. Le të më quajnë konservator, të prapambetur, si të duan le të më quajnë, por kjo duhet të jetë prioriteti i parë i kësaj Qeverie dhe i të gjitha Qeverive të ardhshme, e ajo janë familjet me shumë fëmijë. Unë dua t’u drejtohem me një mesazh të qartë të gjithë qytetarëve maqedonas – krijimi i familjes, krijimi i një familjeje me shumë fëmijë është akti më i lartë patriotik i një populli për atdheun e vet. Pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike – familja me shumë fëmijë do të thotë e ardhme”, ka thënë ai.
Ky program, sipas tij është dëshmi se nuk jemi vetëm, se kemi miq dhe partnerë në botë, por edhe se përgjegjësia është e të gjithëve – t’i ruajmë njerëzit tanë, t’i mbështesim të rinjtë, ta ruajmë familjen dhe ta sigurojmë të ardhmen e Maqedonisë.
“Koha është tani”, ka thënë Mickoski.