Mickoskit “i vë syrin” Islam Abazit!

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe zyrtarë të VMRO-DPMNE-së kanë drejtuar akuza të ashpra ndaj shefit të PNKOK-së, Islam Abazi, duke e cilësuar vendimin si politik dhe skandaloz, ndërsa nga prokuroria mohojnë çdo ndikim dhe insistojnë se procedura është mbyllur për mungesë provash

Ersan PAJAZITI

Shkup, 13 shkurt – Ndërprerja e hetimit për rastin “Mazut” vazhdon të shkaktojë revoltë dhe reagime të ashpra të pushtetit. Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me këtë temë, tha se ky vendim i prokurorisë është shokues dhe jo i drejtë.  “Mua dje nuk më besohej kur dëgjova atë lajm. Isha i shokuar nga ajo që dëgjova”, tha kryeministri Mickoski, ndërsa inkurajoi drejtorinë e SHA EMV të ankimojë vendimin. “Mirë është që SHA EMV, ish ELEM, kur të marrë vendimin, do të parashtrojë ankesë dhe pres që rasti të kthehet në rishikim dhe analizë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë prokuroria e humb kredibilitetin, mendoj Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me këtë prokuror Islam Abazin, e kemi komentuar dhe nuk kam shtesë se çfarë të them, opinioni e di se për çfarë prokurori bëhet fjalë”, theksoi Mickoski.

Ai gjithashtu njoftoi se ka biseduar me kryeprokurorin Nenad Savevski. “Ai më informoi se nuk ishte i informuar për këtë vendim të PNKOK-së që e udhëheq Islam Abazi. Supozoj se pas ankesës nga SHA EMV, rasti do të rishikohet”, theksoi Mickoski. Edhe nga “Pallati i Bardhë” kanë vazhduar me sulmet në drejtim të shefit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi. Deputeti i partisë më të madhe në pushtet, Antonio Milloshoski, në një konferencë për shtyp, foli për atë që e quajti skandal prokurorial të njohur si “Mazut”, pas mbylljes së lëndës ndaj të dyshuarve për krim të rëndë në vlerë prej 167 milionë euro. Ai shprehu gjithashtu dyshime për pastrim parash dhe për dëme të shkaktuara ndaj mjedisit jetësor. Deputeti theksoi se “vendimi i shefit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi, është dëshmi e ndikimit të madh që Venko Filipçe, Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev ende e kanë në një pjesë të mirë të prokurorisë dhe gjyqësorit”.

Sipas tij, Islam Abazi, si shef i PTHP-së për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ka vendosur ta ndalë këtë rast dhe të mos shohë asnjë dëshmi të vetme. “Deri më tani, në drejtësinë dhe prokurorinë maqedonase, nuk është vërejtur asnjë rast me dyshim kaq të rëndë milionësh për krim, që është gjendur në PNKOK dhe që ka qenë me interes të lartë publik të mbyllet para se të dërgohet në gjykatë”, ka theksuar Milloshovski.

Ai nënvizoi se gjithmonë prokuroria ka vendosur që dëshmitë që i ka t’i prezantojë në aktakuzë, e pastaj t’u mundësojë organeve gjyqësore të marrin vendimin përfundimtar, ndërsa akuzoi se ky vendim është marrë me urdhër politik. “Islam Abazi, është shumë e qartë se vendimin për mbylljen e këtij rasti Mazut, e ka marrë mbi baza politike, dhe jo mbi argumente juridike apo prokuroriale. Një vit më parë, prokuroria që e udhëheq ai, ka kërkuar paraburgim për katër persona të dyshuar në këtë rast. Me një veprim të tillë, prokurori Islam Abazi do ta shndërrojë PTHP për Krim të Organizuar dhe Korrupsion në prokurori për kërkim falje ndaj të dyshuarve për krim të rëndë, dhe për pagimin e dëmshpërblimit pse kanë qenë në paraburgim”, theksoi Milloshovski, duke thënë se për sa kohë që këtë prokurori e udhëheqin personalitete dhe prokurorë si Islam Abazi, vendime të tilla kontroverse do të dominojnë, ndërsa në hije do të bjerë besimi dhe sundimi i së drejtës.

Nga ana tjetër, njeriu i parë i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, ka demantuar akuzat për ndikim, pas ndërprerjes së procedurës për lëndën në lidhje me prokurimet e mazutit për TEC “Negotino”. Në një brifing me gazetarët, Abazi tha se në punën e tij nuk ka ushtruar asnjë presion mbi kolegët. “Unë as si prokuror, as si më i lartë, asnjë prokurori nuk i kam sugjeruar, e as nuk ia kam rrezikuar pavarësinë. Mbi asnjë prokuror publik nuk kam ushtruar presion apo ndikim që të marrë ndonjë vendim”, deklaroi Abazi.

Përndryshe, të martën PNKOK njoftuan se është ndërprerë procedura për lëndën në lidhje me prokurimet e mazutit për TEC “Negotino”, pasi në hetimin që zgjati një vit nuk është konstatuar se të dyshuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat ndiqeshin. Bëhet fjalë për hetimin që ishte hapur kundër 13 personave, ndër të cilët pronari i “Pucko Petrol”, Asmir Jahoski, pronarët e kompanisë “RKE”, Erxhan Sulkoski dhe Ratko Kapushevski, ndërsa në të ishte përfshirë edhe ish-drejtori i EMV-së , Vasko Kovaçevski. (koha.mk)

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm